Përveç ndërtimit, ekonomia nuk arrin të rimëkëmbet në tremujorin e tretë

schedule07:37 - 22 Dhjetor, 2020

schedule 07:37 - 22 Dhjetor, 2020

Ekonomia vendase ka rezultuar e dobët edhe në tremujorin e tretë të vitit, duke vijuar të vuajë pasojat e karantinës në periudhën mars-maj, si një përpjekje për të frenuar përhapjen e pandemisë së Covid-19.

Në tremujorin e dytë, për shkak të kësaj mbylljeje, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) ra me 10.2%, ku të gjithë sektorët njohën rënie të thellë, me përjashtim të bujqësisë që ka qenë më pak e prekur nga karantina dhe shitjes së pasurive të paluajtshme.

Ndërsa të dhënat e PBB-së për tremujorin e tretë pritet të dalin në fund të kësaj jave, informacioni i hershëm i INSTAT për tregtinë me pakicë dhe volumin e shitjeve të ndërmarrjeve të sektorëve tregon se pjesa më e madhe e tyre kanë raportuar rënie, me përjashtim të ndërtimit, që ka marrë hov në tremujorin e dytë. Edhe punësimi nuk ka rikuperuar, duke mbetur poshtë niveleve të parakrizës.

Negativisht ka ndikuar dhe turizmi i dobët. Për 9-mujorin, hyrjet e shtetasve të huaj ranë me 61%, ose 3.3 milionë turistë më pak, që ndikuan sidomos në konsumin e dobët të muajit gusht.

Nga të dhënat paraprake rezulton se vetëm tregtia, ndërtimi dhe bujqësia (që së bashku përbëjnë rreth 40% të PBB-së) kanë shënuar rritje, ndërsa sektorët e tjerë kanë vijuar me ecurinë negative.

30 mijë persona vijuan të mbeten të papunë në tremujorin e tretë

Të dhënat nga INSTAT, që u referohen të dhënave administrative (të punësuarit me pagë të deklaruar zyrtarisht) tregojnë se, numri i të punësuarve ka rënë me 30 mijë persona gjatë 9 muajve të 2020-s, në krahasim me fundin e 2019-s.

Në 6-mujorin e parë të vitit, po sipas të dhënave administrative dolën të papunë 50 mijë persona, pjesa më e madhe e të cilëve në mars-prill-maj, kur kulmoi karantina. Shifrat tregojnë se në tremujorin e tretë, vetëm 20 mijë janë rikthyer në punë.

Sipas të dhënave administrative, shihet se nga totali prej 29 mijë e 600 personash, që kanë humbur punën gjatë 9-mujorit, mbi 10 mijë i takojnë sektorit privat, 17 mijë sektorit bujqësor dhe 1600 persona, sektorit shtetëror (për të papunët në sektorin bujqësor, të dhënat administrative i referohen Anketës së Forcës së Punës).

Tregtia me pakicë, vetëm ushqime e ilaçe

Ndonëse vendi u “çlirua” nga mbyllja në tremujorin e tretë të vitit, konsumi ka vijuar të jetë i dobët dhe i përqendruar vetëm në produktet ushqimore, ndërsa shihet një rritje e lartë e konsumit të ilaçeve. INSTAT raportoi se në total, në tremujorin e tretë, volumi i tregtisë me pakicë në tremujorin e tretë të këtij viti shënoi rritje me 0.7% me bazë vjetore, nga -8.3% që ra ky tregues në tremujorin e dytë me bazë vjetore.

Të dhënat e detajuara tregojnë se rimëkëmbja ka ardhur kryesisht nga blerjet e produkteve ushqimore në dyqanet e vogla dhe supermarkete dhe kujdesit për shëndetin. Krahas ushqimeve, që janë produkti bazë për të cilin shpenzojnë familjet, pandemia e COVID-19 ka rritur ndjeshëm konsumin dhe blerjen e barnave në vend. Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja ishte më e fortë sidomos në shtator, (+24.5%), teksa vala e dytë e COVID-19 filloi të përshpejtohet, duke shënuar zgjerimin më të lartë nga të gjitha grupet e tjera, sipas aktivitetit ekonomik.

Gushti ka qenë veçanërisht i dobët për tregtinë me pakicë, duke reflektuar mungesën e turistëve. Teksa numri i hyrjeve të shtetasve të huaj që hynë në vend ra me 63% (ose gati 1 milion persona më pak), tregtia me pakicë shënoi një rënie prej 7.2%. Pothuajse të gjitha grupet ishin me rënie në gusht, me përjashtim të produkteve farmaceutike e mjekësore, indeksi i vlerës së të cilave u rrit me 10.7% me bazë vjetore. Tregtia me pakicë e karburanteve ra me 21%.

Shtatori ishte pak më pozitiv (+3.7%) i ndikuar po nga shitjet e barnave dhe artikuj shkollojë, si rrjedhojë e fillimit të vitit arsimor. Por karburantet vijuan me rënie (-7.2%), po ashtu dhe “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare të specializuara”, (-1.8%), teksa burime nga supermarketet pohojnë se konsumi është përqendruar drejt produkteve bazë.

Shërbimet, rikuperon vetëm tregtia, me rënie të thellë hotelet, transporti, baret, agjencitë turistike

Tremujori i tretë i vitit nuk ka arritur të sjellë gjallërim as në aktivitetin e shërbimeve, me përjashtim të tregtisë, që shënoi rritje në raport me një vit më parë dhe komunikacionet që kanë arritur të ruajnë ritmin e një viti më parë.

Ndërsa sektorët që janë të lidhur direkt me turizmin dhe udhëtimet vijuan me ritmet e rënies dyshifrore, ndonëse me ritme më të ulëta në krahasim me tremujorin e dytë, kur vendi ishte në karantinë.

INSTAT ka publikuar tashmë statistikat afatshkurtra në sektorin e shërbimeve, të cilat janë treguesi më i hershëm i Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe sinjalizojnë që shërbimet, që kanë një peshë mbi 10% të PBB-së kanë vijuar me rënie. Më e fortë ishte rënia e indeksit të shitjeve neto në volum për agjencitë e udhëtimit (-57%), transportet (-37%), hotelet (-34%), baret e restorantet (-24%),

Rritja mund të udhëhiqet vetëm nga tregtia (+3%), e cila zë rreth 11% të PBB-së. Aktiviteti i Informacionit dhe Komunikacion, ruajti nivelet e një viti më parë, me volumin e shitjeve që ra me 0.4% në tremujorin e tretë, me bazë vjetore.

Vetëm tregtia raporton rritje të punësimit dhe pagave, ndërsa në sektorët e tjerë, këta tregues ishin në rënie dyshifrore.

Në sektorin e hoteleve, Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rënie 27,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë; te baret dhe restorantet -24%; agjencitë e udhëtimit -27%.

Karantina nxiti Teknologjinë e Informacionit

Pozitiv ishte ecuria e programimit të kompjuterëve, që u rrit me 22% në tremujorin e tretë me bazë vjetore, teksa karantina orientoi punën online dhe nxiti tregtinë elektronike. Por pesha e këtij sektori në ekonomi është mjaft e ulët. Janë rritur ndjeshëm me ritme dyshifrore dhe blerjet e kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera.

Bujqësia, më e paprekura nga COVID

Bujqësia, që kontribuon në gati 19% të ekonomisë, ka rezultuar sektori më pak i ndikuar nga pandemia. Eksportet e produkteve bujqësore kanë shënuar rritje me rreth 10% për 11-mujorin, të nxitura nga shtimi i kërkesës dhe diversifikimi i tregjeve të eksportit në Europën e Veriut.

Industria dobët, vetëm ndërtimi po ecën mirë

Me kryeqytetin që është kthyer në kantier, ndërtimi është sektori që ka pasur ecurinë më të mirë në tremujorin e tretë. Sipas statistikave afatshkurtra të INSTAT, në sektorin e ndërtimit volumet e shitjeve shënuan rritje vjetore në prej 16%.7 në krahasim me tremujorin e tretë 2019. Sektori i ndërtimit zë 9% të PBB-së.

Industria përpunuese, që zë rreth 6% të PBB-së, ka vijuar të vuajë pasojat e karantinës dhe rënies së kërkesës nga partnerët e huaj.

Indeksi i shitjeve neto në volum për sektorin e industrisë shënoi rënie 3,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa prodhimi shënoi rënie me 1,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rënie 10,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe gjithashtu fondi i pagave shënoi rënie 8,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Më e goditur ishte industria nxjerrëse, që ra me 18.2%, ndërsa ajo përpunuese arriti të ruajë nivelet e një viti më parë. Industria ushqimore e pijeve dhe duhanit u tkurr me rreth 10%. Industria tekstile ka arritur të rezistojë dhe të përshtatet në prodhimin e maskave dhe veshjeve mjekësore, duke rritur shitjet me 3.1% në tremujorin e tretë me bazë vjetore. Më i prekuri nga ndryshimi i sjelljes gjatë pandemisë ka qenë sektori i prodhimit të këpucëve, që është goditur më shumë nga rënia e kërkesës nga partnerët europiane, duke u tkurrur me 16% në të njëjtën periudhë./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!