Përurohet godina e re e Taksave dhe Tarifave Vendore të Tiranës, Veliaj: Bashkia e Tiranës me numrin më të madh të aseteve publike

schedule14:08 - 3 Tetor, 2023

schedule 14:08 - 3 Tetor, 2023

Godina e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore të Tiranës është ndërtuar nga e para, me mjedise të reja dhe hapësira të bollshme edhe për administratën e Njësisë Administrative Nr. 7, ku qytetarët mund të marrin shërbime çdo ditë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se kjo është një hapësirë e re, e cila i shtohet aseteve të rëndësishme të qytetit, duke përmirësuar kushtet për punonjësit dhe qytetarët.

“Në vitet ’90 në Tiranë, filozofia ishte “privatizo dhe jepja të gjitha privatit”. Por, ndërkohë Bashkia e Londrës është 30% pronare e çdo ndërtese në Londër; Bashkia e Berlinit është 35% pronare e çdo ndërtese në Berlin, kurse vendin e parë e mban Bashkia e Vjenës, ku 40-45% e pronës është në pronë të saj. Kjo do të thotë se, filozofia e qyteteve ka qenë si t’i shtojnë asetet e tyre, jo t’ua japin privatit. Sot jetojmë në një qytet si Tirana, ku vlera imobilare është jashtëzakonisht e lartë dhe gjithmonë në rritje. Mjafton vetëm vlerësimi i fundit që u kanë bërë njerëzit shtëpive për të kuptuar se në 8 vitet e fundit vlera e pronës ka ndryshuar me 200-250%, e në disa raste është 3 apo 4-fishuar. Që do të thotë se sot, edhe sharësi më i madh i punëve të Bashkisë së Tiranës, është bërë më i pasur, teksa shan në “Facebook” nga divani”, tha Veliaj.

Ai shtoi se ambicia e bashkisë është që në fund të këtij mandati të ketë numrin më të madh të aseteve shtetërore. “Nëse një tirons i vjetër, ‘den baba den’, negocion me të gjithë zhvilluesit dhe si pronar merr njëherë 20, njëherë 35, njëherë 40% të vlerës, – kam dëgjuar raste edhe 50% – për t’u bërë pjesë e zhvillimit, atëherë ‘tironsi’ më i madh është Bashkia e Tiranës, sepse është pronari më i madh i këtyre aseteve. Për herë të parë futëm filozofinë ku do të sillemi si një ‘tirons’ ‘den baba den’, dhe do themi: meqë në këtë zhvillim kemi një pjesë, qyteti duhet të marrë pronën e tij, siç e merr çdo privat. Ambicia ime është që ta lë këtë qytet, në fund të këtij mandati, me numrin më të madh të aseteve që kemi pasur ndonjëherë në 103 vite si kryeqytet i Republikës së Shqipërisë. Një qytet që ka asete imobiliare, që ka mënyra për të marrë kredi për të hipotekuar kapitalin e vet, është një qytet i fortë, që mund të bëjë punë të jashtëzakonshme”, theksoi ai.

Veliaj zbuloi disa prej institucioneve kryesore publike, të cilat do të vendosen në lagjet e reja të rindërtuara në Tiranë.

“Jemi në fazën finale të miratimit të projektit për ndërtimin e një godinës së re të Bashkisë së Tiranës në Bulevardin e Ri, ku bashkia është edhe pronarja më e madhe, por edhe qiramarrësi më i madh. Një pjesë e disa drejtorive do të transferohen në lagje si “5 Maji” dhe “Kombinati”, për t’u siguruar që institucionet të jenë më afër qytetarëve, por edhe sjellin ekonomi për zonën. Sigurisht, selinë tradicionale të bashkisë do ta kemi në qendër të Tiranës, por ndërkaq duhet të jemi të pranishëm edhe në pika të ndryshme të qytetit. Te Bulevardi i Ri do të jetë edhe Poli i Drejtësisë”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku e mbylli fjalën duke thënë se Tirana është zyrtarisht kryeqyteti me taksat më të ulëta në rajon.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!