Personi i ndaluar në Korenë e Veriut, është ushtar amerikan

schedule16:13 - 18 Korrik, 2023

schedule 16:13 - 18 Korrik, 2023

Zyrtarët në Uashington thonë se një amerikan i ndaluar, pasi kaloi kufirin nga Koreja e Jugut në Korenë e Veriut, ishte ushtar amerikan. Konfirmimi u bë nga disa zyrtarë që folën me organe të ndryshme mediash në kushtet e anonimitetit.

Sipas agjencisë Reuters që citon dy zyrtarë amerikanë, ushtari që kaloi kufirin gjatë një turi civilësh në zonën e çmilitarizuar, do të përballej me masa disiplinore nga ushtria amerikane.

Nuk është e qartë se si ushtari arriti të përfshihej në tur. Një zyrtar tjetër amerikan tha se ushtari kishte kaluar në Korenë e Veriut “me dashje dhe pa autorizim”.

Incidenti ndodh në një kohë kur tensionet mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut janë intensifikuar. Komanda e OKB-së e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe që mbikëqyr zonën, njoftoi në Twitter se qytetari amerikan po bënte një vizitë turistike në fshatin kufitar Panmunjom.

Në njoftim thuhet më tej se ai po mbahet aktualisht në paraburgim në Korenë e Veriut dhe se Komanda e OKB-së po punon me homologët koreano-veriorë për t’i dhënë zgjidhje incidentit.

Media shtetërore e Koresë së Veriut nuk ka njoftuar për incidentin kufitar.

Fshati Panmunxhom, i vendosur brenda zonës së çmilitarizuar prej 248 kilometrash, mbikëqyret bashkërisht nga Komanda e OKB-së dhe Koreja e Veriut, që nga krijimi i kësaj zone në fund të Luftës Koreane.

Aty ka pasur herë pas here incidente me armë, por zona ka qenë gjithashtu një vend ku shpesh janë mbajtur bisedime, si dhe është një pikë e njohur turistike.

Fshati Panmunxhom ka tërhequr vizitorë nga të dyja anët, të cilët duan të shohin kufirin e fundit të mbetur që nga Lufta e Ftohtë. Në këtë fshat nuk jetojnë civilë. /VOA