Në Haiti vijojnë përpjekjet për formimin një qeverie të përkohshme, ndërsa bandat që kontrollojnë vendin kanë vijuar me sulmet e përgjakshme. Nga fillimi i kësaj situatë rreth një muaj më parë, janë vrarë qindra persona dhe kanë mbetur të pastrehë mijëra të tjerë.
Bandat e armatosura filluan sulme të reja në periferi të Port-au-Prince herët të mërkurën, me të shtëna të armësh që jehonin nëpër komunitetet dikur paqësore pranë kryeqytetit.
Ndërsa në periferi të Petion-Ville, ku ndodhen ambasadat e huaja janë raportuar 15 viktima vetëm pasditen e së mërkurës.
Njerëzit janë grumbulluar në kampe dhe organizatat ndërkombëtare kanë ngritur alarmin e rrezikut të vdekjes nga uria dhe sëmundjet e ndryshme për shkak të mungesës së higjienës.
SHBA ka tërhequr menjëherë qytetarët e saj për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqet tashmë shteti, derisa të arrihet një marrëveshje me bandat e armatosura, të cilat kërkojnë rolin e tyre në qeverinë e re.
Autoritetet deklaruan se shtetrrethimi gjatë natës, i cili është shumë i vështirë për t’u zbatuar në praktikë, është zgjatur deri të shtunën, ndërsa qindra njerëz janë vrarë dhe rreth 17 mijë të tjerë kanë mbetur të pastrehë mes dhunës.
Situata filloi të dalë jashtë kontrollit në shkurt kur bandat nisën aksionin dhe shkatërruan qytete duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Ariel Henry, i cili tashmë është larguar nga shteti dhe ka deklaruar se do ta lërë postin sapo të krijohet Këshilli i ri.
Haitianët presin mundësinë e një lidershipi të ri ndërsa zyrtarët e Karaibeve nxitojnë të ndihmojnë në formimin e një këshilli presidencial kalimtar që do të jetë përgjegjës për emërimin e një kryeministri të përkohshëm dhe një këshilli ministrash.
/abcnews.al