Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Përse nuk mund të jetë funksionale Kushtetuesja?

schedule15:27 - 25 Dhjetor, 2020

schedule 15:27 - 25 Dhjetor, 2020

Nga Erneta Shevroja

Me formimin e kuorumit prej 6 anëtarësh të Gjykatës Kushtetuese, janë janë dy dosje të nxehta, ajo e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe shembja e teatrit, për të cilat trupa e re duhet të marr vendim.

Megjithatë, a është realisht funksionale kjo gjykatë dhe a do të mund të marrë vendime, në kushtet kur mungojnë 3 gjyqtarët nga radhët e Gjykatës së Lartë?



Juristi Ledio Braho, tregon për ABC se vendimi për dosjet që prekin edhe politikën mund të futen në ngërç, në kushtet kur gjykata nuk ka trupën e plotë prej 9 gjyqtarësh.

“Për një vendimmarrje duhet të jenë së paku 5 vota pro ose 6, pra duhet të dalin 5 me 1 ose 6 me 0. Në rast të kundërt nuk jemi në rastet e një vendimmarrjeje të Gjykatës Kushtetuese”, tha Braho.

Ndarja e votave në momentet e vendimmarrjes nuk është e vetmja arsye që e bën të pasigurt funksionimin e Kushtetueses.

“Ajo çka shoh unë më problematike në momentin që Gjykata Kushtetuese ka vetëm 6 anëtarë është momenti kur një nga gjyqtarët heq dorë apo bëhet një kërkesë për përjashtim. Në këtë rast nëse gjyqtari nuk merr pjesë në seancë i bie mbeten vetëm 5 gjyqtarë. Në këtë moment nuk mund të gjykohet kërkesa për  përjashtim pasi nuk plotësohet kuorumi i nevojshëm”, sqaron ai.

Emërimi i gjyqtarëve të fundit që i përkisnin politikës, Altin Binajt nga Kuvendi dhe Përparim Kalo nga Presidenti, u bë në kushtet e shkeljes së parashikimeve kushtetuese. Dy institucionet duhet të kishin zgjedhur 1 mes 3 kandidatëve, gjë që nuk ndodhi. Në të ardhmen ky fakt mund ta çojë sërish në bllokim Kushtetuesen.

“Janë emërime që janë të cënueshme. Palët mundet që në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut të ngrenë pretendimin se jemi në kushtet e gjykatës së paformuar me ligj për shkak se nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore. Kjo çështje mund të sjellë probleme sepse Gjykata e të Drejtave të Njeriut mund ta konsiderojë si të zgjedhur në kundërshtim me ligjin dhe mundet që këto vendime të jenë të cënueshme në një moment të dytë”, tregon Braho.

Që prej momentit Gjykata Kushtetuese u zbras, pranë kësaj gjykate janë bërë mbi 160 kërkesa ankimore. Nga to janë pranuar rreth 20, të cilat janë në pritje për vendime përfundimtare.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!