Përplasjet ushtarake me Armeninë, Erdogan mbështet Azerbajxhanin

schedule18:17 - 27 Shtator, 2020

schedule 18:17 - 27 Shtator, 2020

Turqia kritikoi ashpër Armeninë pas përplasjeve midis forcave armene dhe azere për rajonin e diskutueshëm të Nago-Karabakut, duke u zotuar të vazhdojë mbështetjen e saj për Azerbajxhanin.

Në një deklaratë në Twitter pas një thirrje telefonike me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, presidenti turk Tajip Erdogan u bëri thirrje armenëve të qëndrojnë kundër udhëheqësve të cilët ai tha se ishin “duke i tërhequr ata drejt katastrofës”, duke shtuar se solidariteti i Ankarasë me Baku do të “vazhdonte gjithnjë e më shumë”.

“Armenia, e cila i ka shtuar sulmet e saj kundër Azerbajxhanit, ka treguar edhe një herë se është kërcënimi më i madh për paqen në rajon,” tha Erdogan dhe shtoi se reagimi ndërkombëtar ndaj konfliktit kishte qenë i pamjaftueshëm.

LEXO EDHE: Shpërthejnë luftimet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, raportohen viktima

Turqia i bën thirrje “të gjithë botës të qëndrojë me Azerbajxhanin në betejën e tyre kundër pushtimit dhe mizorisë”, shtoi Erdogan, shkruan abcnews.al.

Armenia reagoi ndaj komenteve, duke thënë se forcat azere kishin qëlluar së pari në përleshjet e së dielës. Kryeministri armen Nikoll Pashinyan i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të sigurojë që Turqia të mos përfshijë veten në konflikt.

Turqia ka mbështetur tradicionalisht Azerbajxhanin me shumicë myslimane në konfliktin e gjatë për Nago-Karabakun, një rajon brenda Azerbajxhanit ku popullsia është kryesisht armene etnike. g.v/abcnews.al