Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky subjekt politik nuk do të bëjë opozitë siç bënte Lëvizja Vetëvendosje dikur.
“Ne jemi LDK dhe nuk bëhemi Vetëvendosje 2.0. Opozitën do ta bëjmë në Kuvend, studio televizive dhe në takime me qytetarë”.
Në Rubikon ai është shprehur se Qeveria Kurti nuk mund t’i mbajë premtimet e dhëna në fushatën zgjedhore.
“S’kanë kapacitete për të bërë gjërat që kanë premtuar se do t’i bëjnë. I kemi dhënë kohë qeverisë që 100 ditë ta ketë akomodimin nëpër institucione. Opozita po bën punën e saj. Opozita ka reaguar për Ligjin për Zgjedhje që ka ardhur në gjysmë të natës, për vizitën në Shqipëri të Kurtit dhe menaxhimin me pandemi”, tha ai në Klan Kosova.
Abdixhiku ka thënë se pas dy javësh LDK ka në plan që të nisë punën në terren për t’u takuar me qytetarë.
Ai ka folur edhe lidhur me zhvillimet e fundit që ndodhën sot në Kuvendin e Kosovës, ndërsa tha se ishte shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti, ai i cili kishte kërkuar fjalën për mocion procedural.
Megjithatë Abdixhiku, u shpreh se në këtë rast, fjalë e Arben Gashit iu ishte mohuar, dhe sipas tij në këtë zhvillim shihet diktat dhe autoritet të pashpjegueshëm.
”Nga ajo që kam zhvilluar një bisedë me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, kam kuptuar se fjala është kërkuar për mocion procedural”.
”Dhe të gjithë ata që kanë qenë njëherë në Kuvend e dinë që çdo deputet ka të drejtë të ngrisin mocion procedural në çfarëdo kohe, çfarëdo momenti – dhe është e pakuptueshme pse nuk i jepet fjala për një mocion të tillë”.
”Sjellja e përgjithshme e tillë në tendencë të ndalimit të fjalës, është më tepër ajo pjesë e një paralajmërimi që kam bërë në fjalën time të parë në rastin e formimit të Qeverisë”.
”Që tani pushteti që i ka të gjitha nuk guxon të sillet si opozitë sepse kur sillet si opozitë prodhon diktat e autoritet të pashpjegueshëm e të panevojshëm në skenën politike në vend”.
Gazetari: Diktat po shohim?
”Po tani kur ndalon fjalën opozitës në Parlament, opozita këtë ka tani, vetëm fjalën e ka tani s’ka mjete të tjera, pushteti i takon një partie tjetër parlamentare. Të vetmen gjë që partitë opozitare kanë për momentin në vend është fjala, dhe fjala e lirë duhet të ushtrohet në Kuvend. Për atë arsye është Parlamenti, të flitet”.
”Nëse dikush ka probleme me fjalën e lirë, është e pakuptimtë në sistemin e Kosovës”.