Opozita në Komisionin Parlamentar për Edukimin ku ishte e ftuar ministrja e Arsimit Evis Kushi hodhi dyshime se studentëve të tre viteve të fundit të Universitetit të Tiranës nuk iu njihen diplomat. Programet e studimit sipas deputetes Eralda Tase nuk janë akredituar.
“ Kemi të bëjmë me një skandal që për mendimin e tim është për SPAK. Mijëra studentë në UT nga 2018 deri ne 2021 kanë studiuar në programe të pa akredituara Nëse nuk akreditohet sipas ligjit universiteti nuk mund të lëshojë diploma. Mbi ç’bazë i ka lëshuar UT?”
Mungesa e akreditimit u pranua dhe nga ministrja e Arsimit Evis Kushi.
“Detyrim ligjor që në 2007, deri në 2015 nuk është bërë asgjë, asnjë lloj akreditimi, në 2015 është bërë përmes agjencisë britanike … procesi ka nisur e po ecën”.
Por çfarë do të ndodhë me të rinjtë qe ndjekin studimet në Universitetin e Tiranës ndërsa procesi nuk ka përfunduar ? Përgjigjen ministrja Kushi ia delegoi drejtorit Juridik të ministrisë.
“Ka akte nën ligjore, diplomat janë të vlefshme”.
Zerimi i tarifave të studimin si në Kosovë ishte një prej sugjerimeve që opozita paraqiti para ministres së Arsimit por nuk gjeti mbështetjen e kësaj të fundit. Kushi tha se Shqipëria renditet ndër shtetet me tarifat më të ulëta. Sipas ministres së Arsimit Pakti për Universitetin ka ofruar lehtësi për studentët. /abcnews.al