Përplasje të dhunshme jashtë stadiumit Camp Nou, në kohën kur luhej ndeshja Barcelona-Real Madrid. Mbështetës të pavarësisë së Katalonjës janë përplasur me agjentët e policisë, ndërkohë që 46 persona janë plagosur dhe nëntë janë arrestuar.
Janë të paktën 46 të plagosurit në përplasjet mes mbështetësve të pavarësisë së Katalonjës dhe policisë jashtë stadiumit “Camp Nou” të Barcelonës. Në momentin e tensioneve, në fushë luhej klasikja mes Barcelonës dhe Real Madridit.
Forcat speciale spanjolle ndërhynë kundër manifestuesve, shumë prej të cilëve mbanin flamuj pro pavarësisë së Katalonjës, si dhe i vunë zjarrin disa barrikadave pranë stadiumit. Gjithashtu u përmbys dhe një fugon i policisë si dhe disa tabela të sinjalistikës rrugore.
Sipas mediave spanjolle, që citojnë burimet e policisë, janë nëntë personat e arrestuar. Qetësia është rikthyer pas përfundimit të ndeshjes e cila u mbyll me një barazim 0-0. Policia mbylli daljet në jug të stadiumit, duke u kërkuar tifozëve të largoheshin nga ana lindore, për arsye sigurie.
Këto ishin përplasjet e para të dhunshme, që nga dita kur nëntë liderë separatistë katalanas u dënuan me burg në muajin tetor të këtij viti. / abcnews.al