Mes Ligës së Serie A dhe Komitetit Olimpik Italian (CONI) kanë shpërthyer debatet në lidhje me mundësinë e rifillimit të kampionatit të futbollit. Deklarata e Giovanni Malago nuk është pritur aspak mirë nga drejtuesit e Ligës.
Kreu i CONI u shpreh në një prononcim për Corriere dello Sport se do të kishte mbyllur në një dhomë FIGC, Ligën e Serie A, Shoqatën e Futbollistëve, trajnerët, televizionet, organet ndërkombëtarë (FIFA dhe UEFA), dhe nuk do t’i linte të dilnin jashtë pa krijuar një dokument të përbashkët.
“Kam dëgjuar shumë opsione, por mungon një plan i saktë, i qartë, i zbatueshëm dhe bindës. Po logjistika dhe transporti? Flitet vetëm për uljen e rrogave të futbollistëve, e kanë nisur gjithçka nga fundi”, u shpreh Malago.
Liga e Serie A ka reaguar pas këtyre fjalëve. “Që nga fillimi i situatës së emergjencës, Liga jonë ka qenë në kontakte të vazhdueshme me transmetuesit e të drejtave televizive. Këto marrëdhënie rregullohen nga dispozita të qarta kontraktuale.
Kemi diskutuar ma FIGC (Federata Italiane e Futbollit) dhe përbërësit e tjerë të sistemit të futbollit për të gjitha opsionet e mundshme, duke vazhduar në të njëjtën mënyrë dialogun me ligat e tjera evropiane: ECA-n, UEFA-n dhe FIFA-n.
Shpresojmë, në një kohë të vështirë për vendin tonë, që secili institucion të funksionojë, me një sens përgjegjësie, në mënyrë konstruktive dhe proaktive për të mirën e përbashkët, pa krijuar, siç thotë presidenti i CONI-t, konflikte që dëmtojnë çdo planifikim”, përfundon komunikata e Ligës së Serie A. /abcnews.al