Përplasje mes grupeve palestineze në një kamp në Liban, 6 të vrarë dhe 13 të plagosur

schedule21:13 - 13 Shtator, 2023

schedule 21:13 - 13 Shtator, 2023

Të paktën 6 persona u vranë sot në përleshjet në kampin palestinez të refugjatëve Ain el Helueh, pavarësisht armëpushimit të shpallur të hënën, pas ditëve të luftimeve vdekjeprurëse midis ekstremistëve islamikë dhe luftëtarëve të Fatahut.

Përleshjet rifilluan sonte dhe një rrugë që kalon pranë kampit u bllokua, tha një korrespondent i AFP nga qyteti Saida.

Sipas drejtorit të komunikimit të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në Liban, Imad Halak, 6 persona u vranë dhe 13 u plagosën.

Që nga 7 shtatori, të paktën 9 persona janë vrarë dhe më shumë se 85 janë plagosur, përfshirë civilë, sipas të dhënave të shpallura sot nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze.

Zyrtarë të lartë palestinezë, duke përfshirë Azzam al-Ahmad të Fatahut dhe Musa Abu Marzouk të Hamasit, u takuan të martën në mbrëmje në ambasadën palestineze në Bejrut. Në deklaratën e përbashkët që lëshuan sot, ata theksojnë se “u angazhuan të respektojnë armëpushimin” dhe të koordinojnë veprimet e tyre me qeverinë libaneze.

Në bazë të një marrëveshjeje të vjetër, ushtria libaneze nuk vendoset në kampet palestineze, sigurinë e të cilave e marrin përsipër organizatat palestineze.

Ahmad diskutoi situatën sot me kryeministrin libanez Najib Mikati dhe përfaqësuesit kryesorë të shërbimeve të sigurisë të vendit.

Ain el Helueh është më i madhi nga 12 kampet palestineze të krijuar në Liban kur refugjatët mbërritën pas luftës së parë arabo-izraelite në vitin 1948. Sot, rreth 54,000 njerëz jetojnë atje, duke përfshirë islamikë radikalë dhe njerëz të kërkuar nga autoritetet gjyqësore. Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinë (UNRWA), qindra familje janë zhvendosur nga luftimet.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!