Përplasje diplomatike mes Indisë dhe Kanadasë, dëbojnë diplomatët pas akuzave për vrasjen e liderit separatist Sikh

schedule22:09 - 14 Tetor, 2024

schedule 22:09 - 14 Tetor, 2024

India dhe Kanadaja kanë dëbuar diplomatët e lartë të njëra-tjetrës, pasi marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan ndjeshëm pas akuzave në lidhje me hetimin për vrasjen e aktivistit Sikh Hardeep Singh Nijjar.

Në një deklaratë mbrëmjen e së hënës, ministria e Jashtme e Indisë tha se kishte vendosur tërheqejen e diplomatëve të saj pasi nuk kishte besim në garantimin e sigurisë nga ana e qeverisë kanadeze.Ministria gjithashtu njoftoi se gjashtë diplomatë të lartë kanadezë do të dëboheshin nga Nju Delhi si përgjigje.

Megjithatë, gazeta kanadeze Globe and Mail dhe Associated Press cituan zyrtarë të paidentifikuar kanadezë që pretendonin se ishte Kanadaja që kishte dëbuar së pari diplomatët indianë, pasi provat implikonin komisionerin e lartë të Indisë, Sanjay Kumar Verma, dhe gjashtë diplomatë të lartë në vrasjen e Nijjar.

Nijjar u qëllua për vdekje në Vankuver në qershor të vitit të kaluar. Ai ishte një zë i fuqishëm i lëvizjes Khalistan, e cila mbron një atdhe të pavarur për Sikhët dhe është e ndaluar në Indi. Qeveria indiane e akuzonte Nijjar për përfshirje në terrorizmin Khalistani.

Pas vrasjes, kryeministri i Kanadasë ndërmori hapin e pazakontë duke shpallur publikisht se kishte “prova të besueshme” se qeveria indiane ishte e përfshirë në vrasjen e Nijjar. India i mohoi akuzat, duke i quajtur ato “absurde”./abcnews.al