Përplasja e deputetëve të PD me policinë/ Karamuço: Efektivi nuk kishte armë. FNSH nuk duhet të ishte aty

schedule21:55 - 17 Tetor, 2024

schedule 21:55 - 17 Tetor, 2024

Teksa në Kuvend zhvillohej seanca plenare, në oborr deputetët e PD-së u përplasën me policinë. Pas shtyrjeve me kordonin e policisë, deputetët e PD-së, me në krye Flamur Nokën dhe Luan Baçin, u përplasën me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, duke kërkuar largimin e tyre nga ruajtja e sigurisë në oborrin e Kuvendit.

Gjatë kësaj përplasje, sipas vetë Luan Bacit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, i kanë drejtuar armën e zjarrit. Megjithatë, policia e shtetit përgenjeshtroi akuzat, duke thënë se asnjë punonjës nuk ka pasur armë.

Duke folur për këtë në studion e emisionit “360 gradë” të gazetarit Artur Zheji, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço konfirmoi se polici nuk ka pasur armë. Siç tha ai, pamjen e ka parë me rezolucion të lartë, dhe shihet qartë që dora e policit nuk është te një armë siç aludoi PD, por te spraji me gaz.

Pjesë nga diskutimi:

Ervin Karamuço: E para ishte një nga arsyet që javën e kaluar u anulua seanca parlamentare ndërkohë që ishte Erdogan sepse pritej një situatë e tillë dhe nuk menaxhoheshin. E dyta, ka pasur një përplasje sot midis forcave të ndërhyrjes së shpejtë dhe të gardës së republikës. Ka qenë e dukshme. Ka pasur një përplasje në debat për zbatimin korrekt të ligjit dhe rregulloreve për objektin e rëndësisë së veçantë, nga e cila FNSH nuk duhet të ishte fare aty. Në perimetrin e sigurisë të parlamentit, urdhrin për mbështetjen me forca e jep kryetarja e kuvendit ose me delegim sekretari i përgjithshëm. Garda e republikës ka njësi të veçanta, këta nuk duhet të jenë këtu. Për këtë është diskutuar, po analizohet sepse askush nuk e di kush e ka thirrur FNSH aty.

Anduena Llabani: Policinë e kanë kërkuar deputetët. Në momentin që deputetët e PD ka hedhur një lëndë që thoshte se ishte parfum, ata kanë ardhur aty…Kam folur sot me drejtorin e gardës. Kur Erion Braçe ka thënë po na kërcënohet jeta se ka pasur informacione se kjo deputete do t’i vinte zjarrin karrigeve brenda sallës së kuvendit. Nga shefi më është thënë se deputetët kanë seancë normale dhe t’ju garantohet jeta brenda sallës. Forcat e FNSH kanë ardhur më pas.

Ervin Karamuço: Komandanti i gardës ka qenë me ligjin dhe të drejtën në këtë rast. Forcat e policisë i thërret një titullar dhe i autorizon garda sepse është ekskluzivitet i gardës ai perimetër. Deri tani nuk dihet kush i ka thirrur. Këndi i brrylit që çon dorën aty ku e ka çuar, e çon mbi jelekun taktik, poshtë sqetullës dhe aty disa prej forcave të ndërhyrjes së shpejtë, mbajnë bombula neuroparalizuese. E kam parë me rezolucion të lartë, mesi i dorës ka një send të rrumbullakët që është fillimi i bombulës së gazit. Nuk ka pasur armë. Edhe kllëfi që e kanë bosh është pjesë e brezit kolektiv. Por që i kanë bosh sidomos FNSH, e ka me rregullore dhe ligj. Nuk iu lejohet që të mbajnë armë./abcnews.al