Përplasja detare me Rusinë, Ukraina shpall rendin ushtarak

schedule22:33 - 26 Nëntor, 2018

schedule 22:33 - 26 Nëntor, 2018

Ukraina ka shpallur rendin ushtarak në disa pjesë të vendit, një ditë pasi Rusia sekuestroi tre anije të marinës dhe arrestoi 23 anëtarët e ekuipazhit. Ligjvënësit mbështetën kërkesën e presidentit Poroshenko që rendi të qëndrojë në fuqi për 30 ditë, duke filluar nga 28 nëntori. Në këtë mënyrë autoritetet mund të kufizojnë tubimet publike dhe të aplikojnë masa të tjera për motive sigurie. Por disa ligjvënës druhen se në këtë mënyrë, Poroshenko mund të pezullojë zgjedhjet presidenciale të planifikuara për më 31 mars të vitit të ardhshëm. Përplasja detare e së dielës ndodhi në brigjet e gadishullit të Krimesë, i aneksuar nga Rusia në vitin 2014. Roja bregdetare ruse hapi zjarr përpara se forcat speciale të hipnin në bord dhe të bastisnin anijet ukrainase, duke plagosur 6 anëtarë të ekuipazheve. Ukraina akuzoi Rusinë për akt agresioni, ndërsa Moska tha se anijet kishin hyrë ilegalisht në ujërat e saj territoriale. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!