Irani dhe Shtetet e Bashkuara përfunduan në orët e vona të së premtes raundin e pestë të bisedimeve të tyre në Romë, me ndihmën ndërmjetësuesve nga Omanit, mbi çështjen e ndjeshme të programit bërthamor që po zhvillon Teherani. Megjithëse të dyja palët vazhduan të mbajnë qëndrime të forta publike mbi pasurimin e uraniumit, sinjale se ka pasur përparime të kufizuara nga këto bisedime janë raportuar për mediat ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi për televizionin shtetëror se bisedimet ishin ndër më profesionale deri më tani dhe theksoi se ka një rrugë të arsyeshme përpara. “Ne shprehëm qartë pozicionin e Iranit… Vetë fakti që ndodhemi në një rrugë të arsyeshme është një shenjë përparimi,” tha ai.
Sipas tij, disa propozime të paraqitura nga Oman do të shqyrtohen nga qendrat vendimmarrëse përkatëse dhe një raund i ri bisedimesh do të caktohet së shpejti.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se bisedimet zgjatën mbi dy orë dhe përfshinë takime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. “Bisedimet janë ende konstruktive – kemi bërë përparim të mëtejshëm, por ende ka punë për të bërë,” tha ai, duke falënderuar Omanin për rolin ndërmjetësues.
Presidenti amerikan Donald Trump kërkon të kufizojë kapacitetin e Iranit për të prodhuar armë bërthamore, duke e parë këtë si një kërcënim potencial për rajonin dhe për aleaten e SHBA-së, Izraelin. Ndërkohë, Irani dëshiron të heqë sanksionet e rënda që po dëmtojnë rëndë ekonominë e tij të bazuar në naftë.
Megjithatë, Teherani refuzon të dorëzojë rezervat e tij të uraniumit të pasuruar apo të hyjë në bisedime për programin e tij të raketave balistike. Këto mbeten ndër pengesat kryesore për një marrëveshje.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, e ka quajtur kërkesën amerikane për ndalimin e pasurimit të uraniumit si “të tepërt dhe të papranueshme”, duke paralajmëruar se bisedimet nuk do të sjellin rezultate nëse SHBA nuk lëshon pe.
Nga ana tjetër, sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA është e gatshme të pranojë një program civil energjetik për Iranin, por jo me të drejtë për pasurim uraniumi – një kompromis që sipas tij “nuk do të jetë i lehtë”.
Sipas burimeve diplomatike, përfaqësues të lartë të inteligjencës izraelite dhe Ministrisë për Çështje Strategjike ndodheshin gjithashtu në Romë për konsultime me delegacionin amerikan. Irani paralajmëroi se SHBA do të mbante përgjegjësi ligjore nëse Izraeli do të ndërmerrte ndonjë sulm ndaj objekteve bërthamore iraniane. / abcnews.al