Të paktën 90 persona kanë vdekur dhe 12 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas shirave të rrëmbyeshëm në Vietnam që çuan në përmbytje dhe rrëshqitje toke. Qeveria vietnameze thotë se 186,000 shtëpi janë dëmtuar në të gjithë vendin, me më shumë se tre milionë bagëti të zhdukura.
Zyrtarët vlerësojnë se ka pasur dëme me vlerë qindra milionë euro.
Rreth 258,000 njerëz mbetën pa energji elektrike dhe pjesë të autostradave kryesore dhe shinave të trenave u bllokuan.
Qeveria tha se ndikimet më të rënda ishin vërejtur në pesë provinca – Quang Ngai, Gia Lai, Dak Lak, Khanh Hoa dhe Lam Dong – të grupuara në Vietnamin jugor dhe jug-qendror.
Ndryshe, shkencëtarët thonë se Vietnami është lënë më i ekspozuar ndaj ngjarjeve ekstreme të motit për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, të cilat i kanë bërë tajfunët më të fortë dhe më të shpeshtë.

