Përmbytjet në Libi/ Autoritetet do të fillojnë kompensimin e të prekurve

schedule22:03 - 29 Shtator, 2023

schedule 22:03 - 29 Shtator, 2023

Autoritetet në Libinë lindore njoftuan sot se do të fillojnë në ditët në vijim kompensimin e të prekurve nga përmbytjet vdekjeprurëse të 10 shtatorit të shkaktuara nga stuhia Daniel.

“Formularët e regjistrimit të dëmit iu dorëzuan kryetarit të komisionit dhe çeqet iu dorëzuan kryetarëve të bashkive të komuniteteve të prekura”, thuhet në një deklaratë të qeverisë së pjesës lindore të vendit.

19 mijë euro për çdo banor në zonat e prekura

Njëqind mijë dinarë libianë (19 mijë euro) do t’i jepen çdo banori shtëpia e të cilit është shkatërruar plotësisht nga përmbytjet, sqaroi Faraj Qaim, zëvendësministër i Brendshëm i kësaj qeverie.

Ndërsa shtëpitë e banorëve të të cilëve iu “shkatërruan pjesërisht” do të marrin 50,000 dinarë, ndërsa 20,000 dinarë do t’u jepen banorëve që humbën mobiljet dhe pajisjet elektrike, shtoi ai.

Autoritetet në Libinë lindore njoftuan këtë javë krijimin e një fondi për rindërtimin e Dernës, një qytet i shkatërruar nga përmbytjet, ku pritet të mbahet një konferencë më 10 tetor për t’u përgatitur për rindërtimin.

Qeveria e Bengazit nuk ka specifikuar se si do të financohet ky fond, por parlamenti, i cili gjithashtu është i vendosur në pjesën lindore të vendit, tashmë ka ndarë 10 miliardë dinarë (1.9 miliardë euro) për projektet e rindërtimit.

Frika nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi në Libi

Këto njoftime vijnë në sfondin e frikës së korrupsionit dhe keqmenaxhimit të parave të destinuara për rindërtim.

Të enjten, në Bruksel, i dërguari i OKB-së në Libi, Abdoulaye Battilli, tha se ka kërkuar që të bëhet auditimi i këtyre parave në konsultimet që ka pasur me Komisionin Evropian.

“Unë përsërita thirrjen time drejtuar komunitetit ndërkombëtar për të folur me një zë të vetëm në favor të mbajtjes së zgjedhjeve dhe konsolidimit të institucioneve libiane”, shtoi ai në platformën X.

E pushtuar nga përçarjet pas rënies së Muammar Gaddafit në vitin 2011, Libia drejtohet nga dy qeveri rivale: njëra në Tripoli (Libia perëndimore) nën Abdelhamid Dbeiba, e cila njihet nga OKB-ja dhe tjetra në Libinë lindore, e cila përfaqësohet nga Parlamenti dhe është e lidhur me kampin e Marshal Khalifa Haftar.

Përmbytjet, të shkaktuara nga stuhia Daniel dhe të përkeqësuara nga shembja e dy digave në Derna, kanë vrarë 3,893 njerëz, sipas një numërimi të fundit të përkohshëm nga qeveria e Libisë lindore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!