Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Përmbytjet në Lezhë/ Si paraqitet situata, ulet niveli i ujit. 8 familje në Kurbin janë evakuuar, ndërsa 150 banesa të rrethuara nga uji

schedule09:18 - 7 Janar, 2026

schedule 09:18 - 7 Janar, 2026

Reshjet me intensitet të ulët të rëna gjatë natës në territorin e Lezhës dhe Kurbinit kanë ndikuar në përmirsimin e situatës në këtë qark.

Niveli i ujit ka shënuar rënie në shumicën e zonave urbane, ndërsa edhe prurjet në lumenjtë Drin dhe Gjadër janë në zbritje.

Në Bashkinë Kurbin, si masë parandaluese, janë evakuar 8 familje. Ndërkohë, sipas bilancit paraprak, në të gjithë qarkun e Lezhës sipërfaqja e tokës bujqësore të përmbytur llogaritet rreth 2 600 hektarë, ndërsa rreth 150 banesa vijojnë të jenë të rrethuara nga uji.



Strukturat vendore dhe emergjencat civile janë në terren dhe po ndjekin nga afër situatën, ndërsa qytetarëve u kërkohet të shmangin zonat problematike dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe.

Përditësimi i situatës

Bashkia Lezhë raporton se shërbimet e MZSH vijojnë monitorimin e territorit dhe po ndërhyjnë për largimin e ujit nga oborret e shkollave dhe disa bodrume pallatesh, aty ku paraqitet e nevojshme. Ndërkohë, shërbimet mbështetëse të bashkisë po punojnë për pastrimin e mbeturinave që kishin bllokuar urën mbi lumin Gjadër, në aksin lidhës mes fshatrave Gjadër dhe Zojs. Nuk raportohen probleme, ndërsa Zyra Vendore e Arsimit bën me dije se procesi mësimor po zhvillohet normalisht në të gjitha shkollat.

Në Bashkinë Kurbin, niveli i ujit në akset rrugore dhe në kanalet kulluese ka rënë, duke bërë të kalueshme të gjitha rrugët që kishin qenë të bllokuara më herët, përfshirë akset Laç–Mamurras, Laç–Fushë Kuqe dhe Laç–Milot. Gjatë ditës së sotme do të vijojë puna për heqjen e dherave të rënë në rrugën Gallatë–Vinjollë, si dhe për riparimin e linjave elektrike në njësinë administrative Milot. Edhe në Kurbin, mësimi zhvillohet normalisht në të gjitha shkollat.

Nga Bashkia Mirditë raportohet një situatë e qetë. Shërbimet bashkiake po punojnë për largimin e inerteve nga rrugët urbane dhe ato rurale. Zyra Vendore e Arsimit Mirditë konfirmon se procesi mësimor po vijon pa ndërprerje. Sipas komunikimit me HEC Qafë Mollë, shkarkimet nuk kanë nisur ende, pasi prurjet janë vlerësuar të menaxhueshme.

Sipas të dhënave nga Sektori i Emergjencave Bujqësore, sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujë në territorin e Bashkisë Lezhë llogaritet rreth 1 010 hektarë, e shpërndarë në disa njësi administrative, ndërsa në Bashkinë Kurbin sipërfaqja e përmbytur arrin rreth 2 000 hektarë, kryesisht në zonat e Fushë Milotit, Gjormit, Mamurrasit dhe Adriatikut.

Nga DRUK njoftohet se niveli i lumit Drin ka shënuar rënie të lehtë prej rreth 30 cm që nga mbrëmja e djeshme, duke u stabilizuar në kuotën 1.8 metra. Lumenjtë Mat dhe Droja janë në nivele mesatare dhe nuk paraqesin problematika. Hidrovorët vijojnë punën me kapacitet të plotë, ndërsa mjetet e rënda janë në terren për monitorim dhe ndërhyrje. Furnizimi me ujë të pijshëm ka qenë i rregullt, ndërsa probleme me energjinë elektrike raportohen vetëm në zonat malore të Kurbinit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!