Përmbytjet në Australi, banorët braktisin shtëpitë

schedule18:47 - 5 Shkurt, 2019

schedule 18:47 - 5 Shkurt, 2019

Përmbytjet në Australi kanë detyruar banorët të braktisin banesat e tyre, nga frika e krokodilëve dhe gjarpërinjve, të cilët janë shfaqur dhe në rrugët e qytetit. Metereologët  kanë paralajmëruar se në ditët në vijim mund të ketë sërish reshje të dendura.

Drama që po ndodh në Taunsvill të Australisë tashmë është pjesë e historisë. Qyteza e shkatërruar e parë nga lart, prezantohet vetëm me shtëpi të përmbytura. Deri tani janë konfirmuar dy viktima dhe 650 të pastrehë që janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre nga frika e krokodilëve dhe gjarpërinjve. Autoritetet vendore kanë paralajmëruar banorët, pas shfaqjes së këtyre kafshëve në rrugët e qytezës.

Ekspertët shprehen se një gjë e tillë ndodh vetëm një herë në 100 vjet. Kryeministri australian, Skot Morison, u shpreh se situata është e vështirë dhe do të zgjasë disa kohë. Ai premtoi se të gjithë atyre që i janë shkatërruar shtëpitë do u sigurohet sa më shpejt një strehim i përshtatshëm deri në rindërtimin e banesave.

Ndërkohë 11 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike dhe 9 mijë banorë kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve. Në disa zona niveli i ujit po bie edhe pse metereologët u shprehën se mund të ketë sërish reshje në ditët në vijim, sidomos në verilindje të vendit, ku reshjet mund të jenë shumë të dendura dhe të shkaktojnë përmbytje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!