Përmbytjet masive në Pakistan, OKB bën thirrje për ndihmë

schedule08:47 - 9 Shtator, 2022

schedule 08:47 - 9 Shtator, 2022

“Kërkoj mbështetjen masive të komunitetit ndërkombëtar” për Pakistanin, ishte ky mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, me vendin e goditur nga përmbytjet shkatërruese.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës mbërriti sot në Pakistan për të mbështetur përpjekjet e rimëkëmbjes në vend pas shirave të dendur që lanë një të tretën e vendit nën ujë.

Reshjet rekord të musonit dhe shkrirja e akullnajave në Pakistanin verior kanë shkaktuar përmbytje të përhapura, me Pakistanin që po përjeton kushte të paprecedentë. Më shumë se 1,391 njerëz kanë humbur jetën ndërsa 33 milionë, nga një popullsi totale prej 220 milionë, janë prekur.

Përmbytjet kanë shkaktuar dëme serioze në të mbjellat dhe infrastrukturën, si rrugë, ura, mijëra banesa, linja hekurudhore. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së do të takohet me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif dhe do të vizitojë zonat e prekura gjatë vizitës së tij dy-ditore.

OKB-ja ka apeluar për grumbullimin e 160 milionë dollarëve në mënyrë që Pakistani të përballet me fatkeqësinë, megjithëse autoritetet e vendit vlerësojnë dëmet në rreth 10 miliardë dollarë.

“Kjo vizitë do ta bëjë botën të kuptojë më mirë shkatërrimin e shkaktuar nga përmbytjet,” tha Ministrja e Informacionit e Pakistanit, Marium Aurangzeb.

Në korrik dhe gusht, Pakistani mori 391 mm shi, 190% më shumë se mesatarja 30-vjeçare. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 6.4 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!