Ndryshimet klimatike kanë prekur dhe Shqipërinë. Orët me diell janë shtuar ndërsa ditët me borë janë pakësuar. Reshjet e shiut po bien me intensitet më të lartë në një kohë më të shkurtër.
“Nëqoftëse ne do të analizojmë rrezatimin diellor në 30 vitet e fundit jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Rajonin ka pasur një rritje 5-10% orësh me diell. Për gjashtë vitet e fundit kemi rreth 4.8% më pak reshje. Nëse dikur këto reshje shpërndaheshin në gjithe vitin tani numri diteve është zvogëluar me 12% . Pra bien në një kohë më të shkurtër me intensitet më të lartë.”
Klimës së viteve të fundit në Shqipëri Profesor Petrit Zorba nga Departamenti i Metorologjisë në Institutin e Gjeoshkencave i heq paralele me atë të zonave tropikale.
“Nëse dikur në vitet 60 -90 muaji më i ngrohtë ishte korriku me mesatare 24.7 gradë Celcius vitet e fundit e ka kryesuar gushti me 1.2 gradë Celcius më shumë. Praktikisht kemi pasur vjeshta të zgjatura dhe dimri ka nisur me vonesë duke vijuar deri në mars. Kemi një rrëshqitje të muajve. ”
Prilli, maji dhe qershori shpjegon Profesori po karakterizohen gjithnje e më tepër nga dukuri ekstreme locale; si stuhi ere, breshër apo rrebeshe shiu. Situata të ngjashme këto me atë që ndodhi të enjten në disa zona të Korçës.
“Në total nuk ka rënë ndonjë sasi e jashtëzakonshme, 28 milimetra shi, por kanë rënë në një orë, ndryshe është të thuash ka rënë në një ditë dhe ndryshe në një dimension të shkurtër kohor. Ndërkohë totali për zonën e Korçës gjatë këtyre tre ditëve është 60 milimetra”
Impakti i ndryshmeve klimatike reflektohet në ekonomi. Arsye kjo që ekspertët apelojnë për forcim të rrjetit të monitorimit me pajisje të tekonologjisë së fundit që pasqyrojnë të dhënat në kohë reale, me qëllim reagimin e shpejtë ndaj fenomeneve të tilla.