Reshjet e pandërprera të shiut kanë nxjerrë jashtë funksionit kanalet kulluese dhe kolektorët në lagjen “Postobllok”,që ndodhet në hyrje të bashkisë Kuçovë. Shtëpi dhe biznese në këtë lagje ndodhen nën pushtetin e ujit.
Janë më shumë se 100 familje dhe disa biznese që popullojnë këtë lagje periferike të Kuçovës, ku sa herë që bie shi uji depërton në oborre e banesa.
Banorët shprehen se, kjo nuk është hera e parë që ata përmbyten. Sipas tyre, ky problem, jo vetëm që nuk zgjidhet prej vitesh por sa vjen edhe përkeqësohet.
Ata shprehen të indinjuar për gjendjen e krijuar sepse e kanë ngritur këtë shqetësim disa herë në bashki por askush nuk ka marrë asnjë masë. Banorët bëjnë apel për ndihmë, pasi edhe dëmet që u ka shkaktuar prania e ujit në tokat bujqësore dhe në banesa është e konsiderueshme./mv.abcnews.al