Përmbytja e Bibliotekës Kombëtare, Asllani: Ngjarje e paralajmëruar

schedule18:59 - 16 Nëntor, 2018

schedule 18:59 - 16 Nëntor, 2018

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, ishte e ftuar në “Mbrëmje Ide”. Përsa i përket rastit kur Biblioteka u përmbyt, Asllani tha se ajo ngjarje është kronikë e paralajmëruar. Në studio me Mirela Milorin, ajo u shpreh gjithashtu se priste një mbështetje për Bibliotekën Kombëtare, problemi i së cilës ekziston prej dekadash.

“Janë pamje që lëndojnë dhe është kronika e një ngjarje të shumë paralajmëruar. Akumulimi i problematikës së Bibiliotekës Kombëtare është i disa dekadave. Ka filluar që në vitet 70. Dokumentacioni që kemi në bibliotekë të lë të kuptosh që është një problem i akumuluar prej vitesh që asnjë qeveri nuk e ka përballur dot seriozisht dhe do kisha dashur shumë që elita për të cilën ju folët, të kishte bërë më shumë me zërin e saj në mbështetje të Bibliotekës Kombëtare prej dekadash. Nuk mund të kujtohemi në momentin e tragjedisë dhe të themi obobo ç’na ndodhi. Kjo është një kronikë e paralajmëruar. Ka ndodhur dhe një incident zjarri më përpara. Për të njëjtat arsye, për mungesën e hapsirës dhe kushteve të pafavorshme që janë aty. Çfarë ndodhi me ato libra? Nuk janë të përmbytur. Janë të lagur dy-tre centimetra, për shkak të vendosjes në dysheme”, u shpreh Asllani.

Madje, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare sqaroi se vendosja e librave në dysheme është një metodologji e aprovuar në nivel ndërkombëtar.

“Shërbimi që i është bërë librit dhe që ju duket i çuditshëm por është shërbimi më i mirë maksimal që mund t’i bëhej në rrethanat në të cilat gjendet Biblioteka Kombëtare dhe metodologjia që përdoret është një metodologji e aprovuar dhe e udhëzuar në nivel ndërkombëtar”, tha ajo.

Ndërkohë nuk mund të mungonte edhe një fjalë për Panairin e Librit që po zhvillohet në Tiranë. Persida Asllani u shpreh se rasti ka krijuar një atmosferë pozitive.

“Unë e quaj panairin një festë të librit dhe kronika që ju dhatë e përcolli këtë atmosferë pozitive që  krijon një panair i librit. Më pëlqejnë shumë. Kudo që mundem dhe që më është dhënë rasti në jetën time i kam ndjekur shoqëruar me atë ndjenjën që kam përshtypjen njeriut të librit nuk i ikën kurrë që është koha e pakët në dispozicion në një jetë njerëzore për t’i lexuar të gjitha”, tregoi ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!