Është përmbyllur kongresi botëror i familjeve në Verona, ku me mijëra manifestues kanë kërkuar më shumë mbështetje për familjet. Kongresi tre ditor shkaktoi shumë debate në shoqërinë sociale dhe politikën italiane.
Në Verona, me një manifestim përfundimtar, me 50 mijë pjesëmarrës sipas organizatorëve – 10 mijë sipas forcave të rendit, është përmbyllur kongresi i polemikave. Më saktë kongresi botëror i familjeve, i cili shkaktoi debate të ashpra brenda shoqërisë civile dhe politikës italiane.
Në një dokument përfundimtar, organizatorët kërkuan anulimin e praktikës së dhënies së mitrës me qira, duke theksuar humanizmin e fetusit. Kërkohet gjithashtu dhe një alternativë e vlefshme ndaj abortit dhe mbrojtje më e fortë e të drejtave të njeriut dhe familjeve në vështirësi ekonomike. Gjithashtu kërkohet shmangia e legalizimit të çdo lloj droge si dhe mbështetje maksimale për nënat që vendosin t’i përkushtohen vetëm familjes.
Polemikat në vend shpërthyen para dhe gjatë kongresit, me komunitetin LGBT, i cili me anë të një manifestimi në Verona kërkoi që të mos prekeshin të drejtat e përfituara dekadat e fundit. Por përtej debateve dhe akuzave reciproke, kongresi tre ditor vuri në qendër të vëmendjes politikat ndaj familjes./abcnews.al