Cirkut i ka dalë pronari, përmbarimi i zë derën teksa bëhen prova: Lironi ambientet!

schedule11:23 - 20 Tetor, 2021

schedule 11:23 - 20 Tetor, 2021

Zyra e Përmbarimit ashtu siç ishte lënë afati, ka mbërritur sot më ( 20 tetor ), tek Cirku Kombëtar, për të ulur çadrën dhe për të bllokuar aktivitetin.

Cirku Kombëtar gjendet në një situatë serioze dhe rrezikohet të prishet, për shkak se ka dalë pronari i tokës ku ndodhet e vendosur çadra e madhe dhe kërkon që ajo të zhvendoset duke bllokuar aktivitetin e artistëve.

ABC mëson se aktualisht tek Cirku ka shfaqje dhe janë të pranishëm, shumë fëmijë. Kjo është e disata herë që përmbarimi shkon tek Cirku Kombëtar për të ulur çadrën.

Toka ku është ngritur çadra e Cirkut, rreth 1073 metra katror i janë njohur nga gjykata si pronë private një sipërmarrësi që në vitin 2014. Prej asaj kohe çështja nuk ka marrë zgjidhje ndërkohë që artistë e cirkut janë përplasur vazhdimisht me zyrtarët e përmbarimit të cilët kanë kërkuar zbatimin e vendimit të gjykatës.

ABC ka siguruar edhe shkresën e Zyrës Përmbarimore ku ka 7 kërkesa që sipas tyre duhet të vihen në zbatim.  Kërkesa e parë është për lirimin e  truallit me sipërfaqe 1073 m2, në pronësi të palës kreditore, Shoqëria “UFO” shpk. Afati i lënë është data e sotme 20.10.2021, në orën 11:00.

Ndërkohë artistët në formë proteste vijojnë shfaqjen e tyre, ndërsa fëmijët janë larguar. Deri më tani situata është e qetë, ndërsa mësohet se palët janë ulur për të diskutuar për një mundësi shtyrje të vendimit përmbarues.

Përfaqësuesi i ministrisë së Kulturës, Gjet Ndoj, në një prononcim për ABC, ka deklaruar se Ministria po punon për gjetjen e një tjetër trualli për të zhvendosur çadrën e Cirkut Kombëtar. Po ashtu ai shton se përfaqësuesit edhe pse e kanë humbur betejën pasi truallit i ka dalë pronari, do të vijojnë të ndjekin rrugën ligjore deri në fund me ato çfarë parashikon ligji.

Julian Kazazit kryetar i Sindikatës së Cirkut dhe Reshat Ibrahimit president i SPASH, kanë folur për ABC duke thënë se ata kërkojnë thjeshtë një vend ku artistët të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Sipas Kazazit ata nuk kanë marrë ende asnjë informacion lidhur me çfarë do të ndodhe me Cirkun.

Julian Kazazi: Nuk kemi asnjë përgjigje se çfarë do ndodhi me Cirkun. Ne kemi bërë si sindikatë 3 kërkesa. Zhvendosjen e Cirkut, zhvendosjen e Çadrës si dhe bërjen e cirkut Kombëtar. Por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Ndërkohë Reshati është shprehur se mjafton që artistët të punojnë dhe çadra të vendoset kudo qoftë.

Rashati: Pas 4 vjetësh sërish e njëjta gjendje ne kemi bërë disa kërkesa. Një gjë të thjeshtë kërkojmë. Çojeni çadrën ku të doni mjafton që të funksionoje dhe artistët të ushqehen. Na është bërë gangrenë ky problem nuk kanë dashur qeveritë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!