Përleshja mes presidentëve të Laçit e Tiranës, si një skenar filmash

schedule12:30 - 4 Prill, 2019

schedule 12:30 - 4 Prill, 2019

Përleshja mes presidentëve të Laçit dhe Tiranës ishte si një skenar filmash. Një konflikt i paralajmëruar pas dhunës në ndeshjen e Superligës në “Selman Stërmasi”.

Një ndeshje futbolli paska kosto tepër të lartë. Një skenar si ai i filmave uestern ndodhi vetëm pak kohë për përballjes Laçi-Tirana në Kupën e Shqipërisë, me presidentin kurbinas që sulmoi presidentin kryeqytetas, por që më pas e gjeti veten të sulmuar.

Burime pranë klubit tiranas bëjnë me dijë se ngjarja ndodhi pranë rrethrrotullimit tek ish-Shqiponja, ku presidenti laçian, Laska, po e priste Refik Halilin, i ndodhur në shoqërinë e një presidenti të një akademie futbolli. Mësohet se Halilit i është kërkuar të hapë xhamin e makinës dhe më pas është goditur me një send të fortë, aq sa thuhet se ka çarje në ballë.

Pas kësaj, njerëz të Halilit dolën nga makina dhe sulmuan presidentin kurbinas, duke e goditur disa herë. Policia ndërhyri më pas, ndërsa mësohet se të dy presidentët bënë denoncim për njëri-tjetrin. Tashmë, ka nisur një hetim për të zbuluar sesi ndodhi ngjarja.

Burime nga Tirana, ndërkaq, bëjnë me dijë se policia e ka braktisur autobusin e skuadrës, sapo ai ka dalë nga Laçi, në shkelje të rregullave të sigurisë për një ndeshje futbolli dhe lojtarët janë shqetësuar se mund të sulmoheshin.

Konflikti i rëndë pas ndeshjes së Kupës, pason dhunën që ndodhi në përfundim të sfidës së Superligës në korridoret e “Selman Stërmasit”, ku presidenti laçian, Laska, dhe lojtari i Tiranës, Michael N’go, tentuan konflikt fizik me njëri-tjetrin, dhe ku djali i Laskës goditi futbollistin anglez.

Besohet se një nga shkaqet e zemërimit të numrit 1 kurbinas ishte edhe publikimi i videos, por shkak tjetër mund të kenë qenë fjalët e Halilit pas asaj që ndodhi në “Selman Stërmasi”, ku akuzoi drejtuesit laçianë se shpërdoruan mikpritjen e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!