Përkujtohet 578 vjetori i Besëlidhjes së Lezhës

schedule18:22 - 2 Mars, 2022

schedule 18:22 - 2 Mars, 2022

Drejtuesit vendore të Shqipërisë, kreu i Komunës së Prishtinës, përfaqësues të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përfaqësues nga shqiptarët e Malit të Zi dhe qytetarë lezhjanë u mblodhën në sheshin Gjergj Kastrioti të Lezhës. Ashtu si 578 vite më parë, Besëlidhja bëri bashkë të gjithë shqiptarët.

Kremtimet për bashkimin e princave shqiptarë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit në vitin e largët 1444 e kthyen Lezhën në qendër të vëmendjes mbarë shqiptare. Si prijësi i Lezhës sot, kryebashkiaku Pjerin Ndreu tha se kjo datë dhe ky bashkim e bën Lezhën edhe më krenare duke pasur përfaqësuesit e të gjithë shqiptarisë.

I ftuar në këtë takim, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se bashkimi është kërkuar dhe kërkohet gjithmonë në momente të vështira, por sipas tij duhet që kjo të ndodhë pa dallime edhe në kohë të bukura e të paqta.

Nëse ka një vlerë ngjarje e sotme atëherë sërish duhet vepruar dhe nuk duhet pritur tha kryetari i Prishtinës Përparim Rama. Të pranishmit kanë bërë edhe homazhe në Kishën e Shën Kollit, vendin ku u mbajt Besëlidhja e Princave shqiptarë me 2 mars 1444, që shënon e krijimin e shtetit të parë shqiptarë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!