Përjashtimi i Pashkos dhe Selamit me debate të forta, Bushati: PD në “ADN” ka Berishizmin

schedule20:37 - 15 Qershor, 2021

schedule 20:37 - 15 Qershor, 2021

Emisioni VETTING

Partia Socialiste dhe Partia demokratike e kanë qeverisur vendin 30 vitet e fundit. Zhvillimet politike brenda këtyre partive kanë qenë përcaktuese të nivelit të demokracisë në Shqipëri. Në historinë e këtyre tri dekadave do të shohim trashëgiminë nga e shkuara komuniste dhe përpjekjet e dështuara për votën e  lirë brenda dy partive. Se si ka avancuar demokracia e brendshme në këto dy parti do ta shohim përmes analizës së proceseve zgjedhore në kongreset e PS-së dhe kuvendet kombëtare të PD-së.

Lexo edhe: “Demokracia” që na vjen prej diktaturës

Pas themelimit më 11 dhjetor 1990, Partia demokratike drejtohej nga Azem Hajdari i cili do të shkarkohej më 11 shkurt 1991 për sjellje jo korrekte. “Disa veprime të pakontrolluara, individuale e personale të cilat po dëmtonin reputacionin e PD”, citonte sekretari organizativ i PD-në Arben Demeti, në mediat e kohës. Po atë natë u zgjodh drejtues i PD-së Aleksandër Meksi, me votat e komisionit nismëtar. Partia drejtohej asokohe me kolegjialitet. Meksi qëndroi vetëm 24 orë në detyrë pasi Aktivi kombëtar i Parisë Demokratike më 13-14 shkurt 1991 zgjodhi në krye të komisionit nismëtar Sali Berishën. Ai fitoi me 9 vota përkundrejt Aleksandër Meksit me 5 vota, Gramoz Pashkos me katër vota dhe Azem Hajdarit me një votë.

Në krye të komisionit nismëtar, Berisha  do të drejtonte PD-në drejt zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit. PD kandidonte përballë partisë Socialiste së drejtuar  nga Ramiz Alia. Ramiz Alia e humbi garën e tij në një prej zonave të kryeqytetit por partia që drejtonte, i fitoi zgjedhjet në rang kombëtar ndërsa PD fitoi qytetet kryesore të Shqipërisë. Humbja e Ramiz Alisë, ishte një sinjal shumë i rëndësishëm që partia socialiste nuk mund të ishte një parti e pranuar më nga shqiptarët. Ndaj dhe duhej bërë lëvizja e radhës.  Kongresi i dhjetë i partisë socialiste që do të ndryshonte lidershipin dhe emrin e partisë. Alia do t’ia kalonte stafetën Fatos Nanos.

Delegatët komunistë të kongresit të dhjetë të PS, që kishin brohoritur udhëheqësin Enver Hoxha dhe pasardhësin e tij Ramiz Alia, do të brohorisnin me të njëjtin pasion edhe udhëheqësin e ri Fatos Nano. Në shtator 1991 do të zhvillohej Kuvendi i parë kombëtar i demokratëve. Në kuvend u  zgjodh me votim të fshehtë kryetari i partisë, Sali Berisha i cili mori 449 vota, në garë me Neritan Cekën i cili mori  93 vota  dhe Azem Hajdari që mori shtatë vota. Do të mbetet i vetmi moment në historinë e kësaj partie kur pati garë reale. “PD nuk ka pasur kurrë një sallë kaq të mirë dhe të pastër si atë ditë dhe gara ishte krejt demokratike e hapur. Kandidatë ishin Berisha, i zgjedhur nga kryesia e Partisë.

Lexo edhe: Orët kur Edi Rama ishte pjesë e PD-së: Sa hyra u largova menjëherë

Isha unë, një përfaqësues i atyre që nuk vinin nga partia e Punës, sikur ishte Berisha dhe Azem Hajdari, që përfaqësonte fillimet e partisë, rrënjët e partisë, fillesa e PD-së dhe ajo që ndodhi, Azem Hajdari nuk kishte ambicie për t’u bërë kryetar, ashtu si edhe unë. Unë kisha ardhur si përkushtim sesa ide për t’u bërë dikush, i vetmi që kishte ambicie ishte Berisha, që vinte nga një përvojë partie. Ishte profesionist” tha Neritan Ceka.

“Unë mendoj që ka një mit të ekzagjeruar me ekzistencën e shkurtër të një demokracie të brendshme brenda PD-së në fillimet e saj, apo fillimet e pluralizmit. Gjithmonë jemi të prirur të mendojmë për një garë demokratike të hapur mes dy figurave të kohës, Pashko dhe Berisha, apo një gare mes Cekës, Meksi ka qenë disa kohë në garë.

Ky iluzion i rremë nuk vjen ngaqë PD e kishte në ADN-nën e saj një qasje demokratike, por se cdo organizëm i ri nuk i ka ingranazhet e kontrollit për të shkuar menjëherë në autoritarizëm, që do kohën e tij të vihet në punë. Nuk duhet ti japim më shumë hapësirë sesa duhet iluzionit që PD-ja lindi si një parti demokratike dhe u prish rrugës. PD në “ADN”-në e saj ka Berishizmin, që është një qasje autokratike ndaj politikës, shoqërisë, ndaj ushtrimit të pushtetit” tha Andi Bushati.

Pas fitores më 22 mars 1992, PD dhe nisi të qeverisë Shqipërinë. Sali Berisha u zgjodh president, Aleksandër Meksi kryeministër dhe në qeveri u përfshinë pak prej themeluesve demokratë. Berisha u largua formalisht nga posti i kryetarit dhe vendin e  tij e zuri Eduard Selami. Më 16 Prill 1992, në Konferencën Kombëtare e PD, Selami mori 411 vota nga 485 gjithsej, ndërsa Azem Hajdari dhe Arben Imami, të dy kandidatë për kryetarë, u zgjodhën nënkryetarë të Partisë.

Pak muaj më pas, nisi të evidentohet qartësisht lufta për pushtet. Do të shfaqeshin hapur betejat e brendshme të demokratëve në konferencën e jashtëzakonshme të 13 gushtit 1992. Gramoz Pashko, Arben Imami, Neritan Ceka, Arben Demeti, Preç Zogaj e disa të tjerë themelues të PD-së kishin hartuar një mocion drejtuar udhëheqjes për gjithçka që po kryhej në kundërshtim me parimet mbi të cilat ishte themeluar PD.

Ngjashëm me pleniumet e komunistëve kur shpikeshin grupe armiqësore, në konferencën e jashtëzakonshme u përjashtuan dhunshëm shumë prej themeluesve të PD-së. Nën britmat e sallës së ekzaltuar, Gramoz Pashko nuk e përfundoi dot fjalimin e tij…Konferenca e jashtëzakonshme, ndau përfundimisht Partinë Demokratike në dy pjesë. Prej saj lindi partia e parë Aleanca Demokratike.

Kur Gramoz Pashko po përjashtohej nga PD pati lajmëruar ata që duartrokisnin se do të kishin të njëjtin fat. E njëjta shfaqje do të përsëritej shpejt në PD. Kur konferenca e jashtëzakonshme e PD-së në vitin 1995 do të përjashtonte po kaq dhunshëm kryetarin Eduard Selami. Kuvendi i Tretë  zgjedhor i Partisë Demokratike  zgjodhi kryetar të PD-së Tritan Shehun pas një gare formale me Sekretarin e Marrëdhënieve me Publikun Ferdinand Xhaferri. Tritan Shehu ishte i mbështetur nga Berisha ndërsa Xhaferri kandidoi vetëm për ti dhënë vlerë garës.

“Modeli i parë ishte modeli i një partie autoritare që përfaqësohej nga Berisha. Dhe ai krijoi një model të qartë në Shqipëri, në një parti që vendos njëshi dhe jo demokracia e brendshme” shprehet Andi Bushati. Ndërkohë që në PD po instalohej autoritarizmi, PS kishte nisur reformimin për tu kthyer brenda pak vitesh në partinë me lëvizjet më dinamike që do të shiheshin si zhvillime demokratike me rëndësi. d.b/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!