Përjashtimi i gazetarëve nga aktivitetet e Kuvendit, Meta: Të tërhiqen nga praktikat e ngjashme me të Lukashenkos

schedule11:52 - 8 Qershor, 2021

schedule 11:52 - 8 Qershor, 2021

Presidenti Ilir Meta ka kritikuar vendimin e Byrosë së Kuvendit që gazetarët dhe kamerat e televizioneve të mos lejohen më në ambientet e komisioneve parlamentare.

Në një postim në faqen e tij, Meta e ka cilësuar si të dënueshëm, të papranueshëm dhe antidemokratik këtë vendim, siç e quan ai të Kuvendit njëpartiak.

Lexo edhe: Gazetarët kundër kuvendit: Dyshime për censurë

Meta shprehet se mbështet shqetësimin e gazetarëve, ndërsa i bën thirrje Kuvendit dhe maxhorancës që të heqin dorë nga ky vendim. “I bëj thirrje Kuvendit monist dhe maxhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit”, shprehet Meta ndër të tjera. .

Reagimi i plotë:

I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik, vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara.

Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri.

Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!