Disa prej themeluesve dhe aktivistëve qysh në orët e para të lëvizjes u përjashtuan nga Partia Demokratike në gusht të vitit 1992, të tillë si: Gramoz Pashko, Neritan Ceka, Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti, Shahin Kadare, Ridvan Peshkëpia etj.
Ata kishin paraqitur një mocion për debat për qeverisjen e PD-së, me disa kritika që sipas tyre do ti bënin mirë demokracisë brenda partisë dhe qeverisjes së saj. Por kritika nuk u pranua dhe mocionistët u etiketuan si neokomunistë.
Dashamir Shehi, një prej protagonistëve të politikës qysh në fillimet e pluralizmit politik deri sot përmes rrëfimit tregon historinë e përjashtimeve nga Partia Demokratike në vitin 1992, duke e cilësuar PD-në si një parti që nuk pranonte mendim kritik brenda saj dhe larg nga mentaliteti i lirisë evropiane.
“Me një lloj keqardhje sepse u fillua me këmbën e shtrembër, ne s’kishim nevojë të përjashtonim njeri, ne ishim në pushtet, kishim goxha pushtet, kemi qenë deputetë në numër të madh 84/85 vet në parlament, të krahut të qendrës së djathtë edhe nëse do kishte mendime të ndryshme PD-ja udhëheqja e asaj kohe duhet ta administronte procesin e brendshëm në një mënyrë shumë demokratike, të ndryshme nga ajo që u bë. Të gjithë derivatet e kësaj politike do të kishin qenë të tjera sot e kësaj dite, do kishim një parti shumë më demokratike, shumë më të hapur e cila nuk do ti shpërdoronte vlerat e veta dhe nuk do kishim ndoshta ’96 dhe ’97, jo vetëm për grupin e mocionistëve por për të gjithë grupet që erdhën me radhë. Dmth filozofia që të konfrontohemi brenda kush është grupi më i madh, kush është më i forti, që fatkeqësisht vazhdon edhe sot ka qenë shumë e dëmshme për krahun e djathtë, po të kishim pasur lirinë e mjaftueshme nga PD-ja nuk do ishin larguar asnjë vlerë, unë them që do e kishim qeverisur shumë më mirë Shqipërinë. Sigurisht që qeveria ka nevojë të alternohet, i miri i botës të jetë duhet të ndryshohet, por e filluar ters duke treguar që ishte më e fortë tërheqja e vjetër e komunizmit, e mentalitetit bolshevik se sa hapësira e re e lirisë evropiane”.