Futbolli në Itali vazhdon të jetë i pezulluar dhe ende nuk dihet se cili do të jetë fati i Seria A për këtë sezon. Për situatën e krijuar ka reaguar dhe portieri i Genoas, Mattia Perin. Italiani thekson se lojtarët janë të ndarë për çështjen e rinisjes së kampionatit, si dhe tregon se sa po e vuan mungesën e fushës së blertë.
“Çdo njeri ka mendimin e tij. Të gjithë lojtarët kanë opinionin e tyre. Disa duan që të kthehem sërish në lojë ndërsa disa të tjerë kanë frikë. Dhe mua do më pëlqente ta vazhdonim kampionatin, por në këto raste shëndeti është parësor”, deklaron portieri i cili është në huazim nga Juventusi te Genoa.
“Nëse do të rifillojmë do të ketë raste, por ajo që është e rëndësishme është të dimë se si të menaxhojmë situatën, ashtu siç bëri Gjermania. Sigurisht që problemet do të rriten, pasi të gjitha këto pasojat janë humbje financiare për klubet të cilët do të pësojnë dëme të mëdha”, mbyll Perin. /abcnews.al