Përgjimet ndaj disidentit komunist: Xheviti qëndron shumë kohë në zyrë gjoja për të lexuar…

schedule09:03 - 27 Nëntor, 2021

schedule 09:03 - 27 Nëntor, 2021

Dashnor Kaloci

Publikohet një dosje arkivore voluminoze e nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Informacion i togerit të Sigurimit të Shtetit, Taqo Piluri, lidhur me survejimin e përgjimin ndaj Xhevit Qeses

I N F O R M A C I O N

 

 

Me datën 28/V/58 në mbrëmje rreth orës 21.30 u takuan Xhavit Qesja, Angji Faberi dhe Ahmet _______ i cili ka ardhur kohët e fundit nga Franca, këta ishin në lulishten e Turizmit, ulur në një tavolinë dhe po bisedojnë që të tre, këta ndenjën deri në orën 23.30 të natës dhe pastaj dualën prej aty, ndenjën pak në banak tue biseduar dhe pastaj u ndanë.

Elbasan 29/V/58                                                                       

N/Toger (Taqo Piluri)

Raport-informacion i nënkolonelit të Sigurimit të Shtetit, Shim Kolli, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Parashtruesi”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Xhevit Qeses

Marrë nga N/Kolonel Shim Kolli 

Dhënë nga bashkëpunëtori (“Parashtrusi”)

Datë 11/V/1958

R A P O R T

Në informacionin e kaluar harrova të përmendë sa vijon. Shoku Koço Tashko, kur vinte n’Elbasan takohej me Xhavit Qesen, bile këta kanë shkuar me auto veturën e shokut Koço, në Tiranë unë i thashë Xhavitit, që të më merrte edhe mua në Tiranë, mbasi e njihja shokun Koço, por nuk e di, nuk më muarrën. Xhaviti për Koço Tashkon, më tha se e trajton mire, d.m.th., që ka konsideratë për Xhavitin.

Unë di nga e kaluara se Koço Tashko, ka pasur lidhje me Sejfulla Malëshovën, bile ky i fundit vinte natën në shtëpinë e shokut Koço Tashko.

Në bisedimin e fundit që kam pasur me Xhavitin në kafen verore mbi Hotel “Parku”, më ka thënë:

Është fatkeqësi e madhe për komunistët Shqiptar, që nuk është përkthyer broshura prej 72 faqesh ”Komuna e Parisit”! Për të parën herë ndëgjoj që Xhaviti, të më flasë për këtë vepër. I tërë muhabeti i tijë lidhur me ‘Komunën e Parisit’, u zhvillua me qëllim të justifikonte programin e lidhjes të Komunistëve Jugosllav. Veprën ‘Komuna e Parisit’ e ngrinte lart, duke e konspektuar, më tha se do të më japë konspektin kur ta ketë mbaruar.

Mënyrën e administrimit gjatë ditëve që jetoi ‘Komuna e Parisit’, e konsideronte si formën më të rregullt dhe u shpreh më keqardhje, gjynah që nuk jetoi kohë të gjatë, sigurisht komunistët, kështu duhet të mendojnë, pastaj Xhaviti filloi të bëjë disa krahasime, se si funksiononte aparati shtetëror, në kohën e Komunës Parisit dhe si në kohën e Stalinit. Këtu nxori fytyrën prej revizionisti, filloi të më tregojë se gjatë ekzistencës së Komunës Parisit, Ministrat zgjidheshin nga punëtorët, p.sh., Ministri i Ndërtimit bëhej një punëtor i ndërtimit, por paga e tijë, ishte sa ajo e një punëtori të kualifikuar. Xhavitin nuk e konsideron të rregullt formën e pagës, pagën që marrin ministrat tanë, e quajnë këtë, si hapin drejt socializmit, karrierizmit, Xhavit mendon se në sistemin tonë, influencon karrierizmi dhe servilizmi dhe se kjo formë është adoptuar nga udhëheqja e Stalinit.

Gjatë ekzistencës të Komunës Parisit si mbas Xhavitit, nuk kishte polici qendrore, por polici rajonale, këtë e shpjegon se shërbimin popullor, e kryenin vet punëtorët, kudo që ishin, në fabrika, zyra etj. Kurse në organizimin e sotëm të policisë (tek ne), ai mendon se policët shërbejnë jo vetëm për të ruajtur pronën socialiste. Gjithë këto ai i thotë si hyrje dhe pastaj e kalon muhabetin tek Jugosllavët.

Thotë se po të shikojmë se çfarë flitet për jugosllavët, ashtu mundë të mendojsha, por se punët nuk janë ashtu flet (mbytur), se në Jugosllavi, vazhdon të ndërtohet Socializmi si mbas Komunës Parisit, se valla shtypi jonë nuk flet drejt, kurse B.S. mbajti lidhje me Jugosllavët dhe më solli shembullin, që shoku Hrushov dhe Voroshllov, i kanë dërguar Titos telegram urimi me rastin e ditëlindjes.

Prandaj filloi të flasë me qëllim që të diskretitojë politikën e qëndrimin e partive komuniste e punëtore. Lidhur me Jugosllavët, më tha se ka pasur zikzake të mëdha, ndërmjet kampit dhe Jugosllavisë, duke i përmendur vitin 1948, ç’ka u tha në atë kohë për Jugosllavinë, si u tërhoqën me rastin e vizitës të shokut Hrushov në Jugosllavi dhe se ç’ka janë thënë në 1948, janë të drejta.

Xhaviti më thotë, se: “Kinezët sot po dalin me flamur në dorë, këtë e bëjnë për të mbuluar gabimet, ata para vitit 1948 kanë pasur gabime të mëdha, tani hiqen sikur vetëm ata mbrojnë interesat e Socializmit”, dhe e la muhabetin.

Lidhur me Nehrun:

Tha se këto zikzake po bëjnë që personalitetet si Nehruja që tallen dhe solli shembullin që Nehru, kur paska qenë në Moskë, kishte thënë për bashkëpunim të sinqertë, midis shteteve por paska pyetur Nehruja, përse Bashkimi Sovjetik ndërhyka në punët e brendshmesh, të popujve dhe partive? Vallë në një fjalim paska pyetur përse Bashkimi Sovjetik ndërhyn në punët e brendshme të Jugosllavisë.

Me qëllim që kjo që ka thënë Nehruja, të kuptohet si fjalë e një personaliteti të madh, filloi të më flasë për një libër që pasi ka bërë Nehru, Xhaviti e quajti “Libri i famshëm” i Nehrut, që ky libër ju ishte rekomanduar për t’a studiuar në Shkollën e Partisë Moskë.

Më tha një gjë tjetër, që ja se si tallet bota sikur në marrëdhëniet tona me Jugosllavinë, sikur Nehru ka folur në një fjalim edhe për kryesinë e Lidhjes Komunistëve Jugosllave, Nehru në përbuzje për Partinë Komuniste, paska thënë që: këto parti komuniste hindiane i dërguan Kongresit të Lidhjes së Jugosllavisë një telegram urimi, ku uronin suksese në punimet e këtij kongresi, por kur këto (Partia Komuniste Hindjane), panë qëndrimin që mbajti Moska, kundrejt këtij kongresi, bënë një telegram të dytë ku dënuan parimet revizioniste. Si konkluzion, vallë Nehru është tallur me qëndrimin e Komunistëve hindjanë dhe këtë e ka lidhur me ndërhyrjen e Moskës.

Xhaviti këto m’i tha: ja se si tallen njerëzia me këto zikzake, pastaj filloi e më tregoi se si shoku Hrushov, qenka rrëzuar nga posti i sekretarit të parë dhe se mbledhja e plenumit e riemërojë po sekretar të parë. Si konkluzion, nxori se ka akoma gjëra të pa qarta, nuk ka stabilitet (desh të thoshte që nuk ka unitet, ky është përcaktimi i jem). Pastaj më foli sikur një profesor e kishte pyetur, nëse në Shqipëri janë përkthyer veprat e Leninit dhe se ky i kishte thënë, se çfarë veprash janë përkthyer. Profesori i kishte thënë: kaq, ky i qe përgjigjur shumë keq, por profesori ja kishte mbyllur, më tha Xhaviti që ai u tërhoq.

Ja se si ma nxori këtë bisedë:

Që veprat e Leninit nuk janë përkthyer jo vetëm këtu tek neve por edhe në republikat e Bashkimit Sovjetik dhe më solli si shembull që deri në vitin 1950 në Azerbajxhan apo Taxhikistan, ishin përkthyer vetëm dy vepra të Leninit. Këtë e nxori si politik të veçantë të Stalinit, në këtë kohë i foli për marrëdhëniet Lenin–Stalin, më tha se Lenini në testamentin e tijë, Stalinit i ka bërë karakteristike shumë të këqija, e ka quajtur arrogant, karrierist i paqartë etj.

Epitete negative që nuk më kujtohen si më tha, më tregoi se kur ishte sëmurë Lenini, Stalini na paska ofenduar rëndë, ku përkon kjo i kishte treguar Lenint dhe ky i kishte shkruar shokëve, mbi qëndrimin arrogant të Stalinit, Krupskojes, me një fjalë, Xhaviti kërkonte të rrënjoste në mendimin tim, se qysh kur ishte gjallë Lenini, e kishte përcaktuar se çfarë personi, ishte Stalini, si rrjedhim ky kërkonte të nxjerrë se format janë staliniane, ndërsa jugosllavët kanë format e Komunës Parisit, kur njeriu nuk kalon në revizionizëm dhe në karrierizëm.

Xhaviti më foli diçka mbi Kamenievin, që e deshe Lenini, por që më pas Stalini u kap pas disa anëve të dobëta, të Kamenievit dhe si rrjedhim përfundoi keq.

Më tha se Jugosllavët kanë botuar gjithë materialin e artikullit të revistës “Komunistë”, që ata nuk i fshehin popullit ç’ka themi neve dhe se kanë bërë thirrje, për të biseduar. Këto divergjenca, thotë Xhaviti, se këta (Jugosllavët) e kanë syrin e hapur, nuk u trembën fjalëve që ju themi neve.

Asnjë herë goja e Xhavitit, nuk i përcaktoi Jugosllavët si revizionistë, në të kundërtën është përpjekur që format e tyre, t’i koncidojën të drejta dhe marksiste.

Kur shoku Pilo Peristeri, ishte tek shoku Çirjankeviç, ky i fundit i kishte pyetur: Çfarë të reja kemi andej nga Tirana? Shoku Pilo i qe përgjigjur se: “Jugosllavët, na organizuan punë armiqësore në aktivin e Tiranës”, shoku Çirjankoviç i ishte përgjigjur, se: le të shikojnë gabimet, mos t’u ngarkojmë kot Jugosllavëve, çka nuk i kanë. Më foli në mënyra tallëse për shokun Pilo Peristerin.

Më tha gjithashtu se Kongresi i 20-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik ka një rëndësi ndërkombëtare të jashtëzakonshme, por mjerisht partia jonë, nuk i punoi si duhet materialet e Kongresit të XX-të. Ky ishte në Moskë dhe mori vesh, se këtu nuk u lejuan diskutime. Por vetëm që u informua partia.

Pastaj më tha se dhe delegacioni Bullgar, kërkoi të punojë përciptazi materialet e Kongresit të XX-të, porse Komiteti Qendror Bullgar, nuk e pranoi si përfundim i gjithë Komiteti Qendror Bullgar, i hipi aeroplanit e shkoi në Moskë, së bashku me delegatët të Partisë Komuniste Bullgare, bëri mbledhjen e  Komitetit Qendror në Moskë dhe analizuan punët në mbështetje të vendimeve të Kongresit të 20-të.

D.m.th., simbas Xhavitit tek neve, nuk kanë gjetur zbatim vendimet e Kongresit të XX-të. Bullgarët e ulën shokun Velo Çervenkov.

(“Parashkrusi”)

Detyra

  1. Kur të zhvillohet muhabeti që udhëheqja jonë nuk është në rregull, dil me __________ se cilin mendon ai të vihet në udhëheqje.
  2. Zhvillo muhabet mbi dënimin e Tukut dhe të Bedriut, duke i thënë se këtë lajm e ka marrë në Tiranë.

Elbasan më 12/VI/1958  (N/Kolonel Shim Kolli)

Raport-informacion i Punëtorit të të Sigurimit të Shtetit, kapiten Avni Mehmeti, me të dhënat e njeriut të Sigurimit, Xhaferr Mema, lidhur me ndjekjen e survejimin e Xhavit Qeses!

Marë nga Punëtori Operativ Dhënë nga M.P. (Xhafer Mema)

Kapiten (Avni Mehmeti)  Elbasan më 19/6/1958

R A P O R T

Burimi njofton se gjatë këtyre ditëve mbi Xhavit Qesen kam konstatua këto gjëra: Tek Xhavit Qesja shoh që të vinë disa persona, që neve nuk i njohim dhe as kemi mundur t’i zbulojmë deri tani. Kur kemi pyetur në mënyrë indirekte, thuhet se ka qenë i kunati. Në fillim i vinte një gocë, që po ti vinte në zyrë për disa herë, gjoja se ajo vinte nga Shkodra dhe i binte lajmet, prej shokëve që ky kishte në Shkodër. Deri tani nuk kam mundur të gjejnë gjeneralitetet e sajë. Këtu nga Elbasani shoh që ti vijë shumë, Shefi i Planit Kom. Ekz. Rrethit, Angji Faber.

Hyrje dalja me dyer të mbyllura në zyrë të vet, bën me Selman Deden, Mynever Zaimin, Thoma Tezhën, Ylber Daklin dhe Dhimitër Haxhinikollën, me gjithë se me disa nga këta të fundit, ka dhe lidhje pune, mbasi janë përgjegjsa sektorësh dhe ai vetë i ka në patronazh, e shikoj që Mehmet Dylgjerit, i ruhet shumë dhe i bënë rrugë, këtë më duket se të mos grindet me të, por kushedi se çfarë mendon ai. Përpiqet për ti nxjerrë punë vetes, për të shkue në Durrës. Nuk shëtit shumë rrugëve ditëni pëlqen të shëtis në mëngjes dhe natën, qëndron shumë kohë në zyrë për të lexuar gjoja, por simbas mendimit tim, ky hap radion që ka në zyrë dhe dëgjon stacionet të huaja. Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!