Përgjimet e autoriteteve italiane për dosjen “Ndragheta” janë kthyer në kryefjalë të diskutimeve dhe akuzave politike përgjatë ditëve të fundit edhe në vendin tonë, kjo për shkak se në to përmenden kryetari i Bashkisë së Tiranës, presidenti, shefi i policisë si dhe një zv. ministër.
Analisti Neritan Alibali në studion e ABC me gazetarin Endri Xhafo u shpreh se ajo që duhet parë për të kuptuar pozicionin e personave të përfshirë në raport me përgjimet, është qëndrimi që mban secili prej tyre.
Alibali u shpreh se në rastin konkret, PS dhe kryeministri Edi Rama kanë mbajtur një qëndrim të ndryshëm në krahasim me rastin e akuzave ndaj Saimir Tahirit në një dosje tjetër hetimore. Ai e paralelizoi qëndrimin e socialistëve për Ndraghetën me rastin e përgjimeve për vjedhjen e votës si dhe atë të darkës së dy ministrave në restorantin e Nusretit në Dubai.
“Flitet për Shqipërinë. Janë një grup përgjimesh për një çështje hetimore në Itali që implikon edhe persona të ndryshëm në Shqipëri. Ajo që ne duhet të shohim është mënyra se si persona e akuzuar sillen ndaj këtyre përgjimeve. Mënyrën si e paraqet veten, si justifikohesh ndaj përgjimeve që kanë dalë. PS, Edi Rama dhe të gjithë eksponentët e saj kanë shfaqur një lloj paniku që i bën qesharakë.
Mënyra se si PS dhe Edi Rama u sollën ndaj akuzave për Saimir Tahirin dhe mënyra si janë qasur ndaj përgjimeve për vjedhjen e votave në Dibër dhe Durrës, qasja ndaj darkës së Nusretit dhe këtyre përgjimeve. Na është krijuar një tipologji e ndryshme sjellje në krahasim me çështjen e Tahirit. Atëherë thanë se është çështje e gjyqësorit dhe në rast se del fajtor duhet të mbajë përgjegjësi.
Për përgjimin e fundit, për darkën e Nusretit dhe vjedhjen e votave i mohuan. Nuk ia lanë drejtësisë por i cilësuan si shpifje. Mbrëmë një përfaqësues i PS tha se uroj që drejtësia ta zbardhë çështjen dhe politika shqiptare të dalë e pastër, sidomos opozita. Ngjarjet me Tahirin kanë ndodhur në fillim të mandatit. Sot kemi Edi Ramën që i duhen edhe 90 ditë për të shkuar në zgjedhjet e 25 prillit. Kjo ngjarje ka shkuar edhe në BE. Rama sot është kthyer në avokat të PS. Po kush e akuzoi PS? Askush. Mendoj që kjo është mbrojtje politike për të shkuar deri në 25 prill”, tha Alibali./mv.abcnews.al