Përgatitjet “Kuqezi”, 500 mijë euro, FSHF shqyrton 4 komplekse në Austri për muajin maj

schedule16:16 - 17 Janar, 2024

schedule 16:16 - 17 Janar, 2024

Lajmet janë që vendimi do të merret javën e ardhshme. Vërtet që Kombëtarja shqiptare e ka të sigurt bazën ku do të vendoset në Gjermani në qershor të këtij viti, por vazhdon kërkimi i ethshëm për një kompleks stërvitor përpara fillimit të Kampionatit Europian.

Drejtoria e ekipeve kombëtare në Federatën Shqiptare të Futbollit ka kontrolluar 4 komplekse në Austri, aty ku kushtet klimaterike janë ndër më të mirat në Evropë gjatë pranverës së vonë. Problemi më i madh ka qenë të kënaqen kërkesat e trajnerit Sylvinho, i cili ka vendosur standarde tepër të larta.

Tekniku brazilian nuk ka kërkuar vetëm kushtet e duhura stërvitore, në fushë, palestër apo në çdo element tjetër përgatitor, por është marrë edhe me cilësinë e krevateve ku do të flenë lojtarët.

Bazat stërvitore janë vizituar nga disa punonjës të Federatës, të shoqëruar nga një ndihmës i teknikut Sylvinho, ndërsa raporti i përgatitur do të shqyrtohet nga braziliani. Më pas, vetë trajneri do të shikojë nga afër atë kompleks që do t’i duket më i pranueshmi.

Kombëtarja do të vendoset në Austri në një periudhë përgatitore dhe përshtatjeje për tri javë përpara fillimit të Euro 2024. Sipas burimeve në Federatë, kostot priten të shkojnë në 500 mijë euro, por shpenzimi është shqetësimi i fundit. Kryesorja është të kënaqet Sylvinho. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!