Pas disa minutash diskutime është mbyllur seanca në Gjykatën Kushtetuese për “30 qershorin”. Gjykata është tërhequr për vendim ku sipas ligjit, duhet të ndërmerret brenda 30 ditësh.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Bashkive Jordan Daci, institucion i cili ka depozituar padinë për pavlefshmërinë e zgjedhje, ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të mos marrë për bazë opinionin e Komisionit të Venecias, pasi sipas tij ky opinion nuk është detyrues.
Pas përfundimit të seancës, Daci është shprehur se mendon që Kushtetuesja do të vendos pro Shoqatës së Bashkive dhe nuk do të mbështete tek Komisioni i Venecias që sugjeroi që kjo gjykatë nuk ka kompetenca për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të 30 qershorit.
Nga ana tjetër edhe kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi u shpreh se kërkesa e vetme që kanë është që qytetarët të mund të kenë zgjedhje të rregullta.
“Duhet të presim vendimin e gjykatës kushtetuese. Kërkesa jonë është që qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të kenë zgjedhje të rregullta vendore.” tha Ademi.
Në opinionin paraprak të ekspertëve të Venecias thuhet se bojkoti i partive politike siç ndodhi me PD dhe LSI nuk përbën arsye ligjore që të vihet ne pikëpyetje periodiciteti i zgjedhjeve që sipas kushtetutës mbahen çdo 4 vjet.
Sjellim ndërmend se padia erdhi nga shoqata e bashkive të drejtuar nga Voltana Ademi qe kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale, me argumentin se Presidenti i Republikës e anuloi dekretin për mbajtjen e tyre, ndërsa opozita i bojkotoi ato dhe në gjysmën e bashkive nuk kishte garë. /abcnews.al/