Ka përfunduar për sot protesta në Zveçan. Të punësuarit në komunë, pjesë e protestës, janë nënshkruar në listën e evidencës për përfundimin e orarit të punës dhe janë shpërndarë të qetë.
Një numër i vogël i qytetarëve, prej të cilëve ka edhe nga komuna tjera, ka vazhduar të qëndrojë nëpër tenda, duke u shoqëruar mes vete, dëgjuar muzikë, etj.
Madje, mësohet se ata po qëndrojnë në këto tenda deri në orët e vona të natës, e disa edhe deri në mëngjes, shkruan KosovaPress.
Autoblindat e Policisë së Kosovës, të cilat e kanë ndryshuar lokacionin gjatë ditës së djeshme dhe janë vendosur prapa objektit komunal, nuk kanë lëvizur fare.
Ushtarët e KFOR-it, ndonëse në numër shumë të vogël dhe pa armë, vazhdojnë të qëndrojnë para ndërtesës së komunës, ndërsa hekurat e metaltë i ndajnë nga protestuesit.
Situata në komunat veriore është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të futen në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe gazetarët./KosovaPress