Përfundon me sukses transplanti plotësisht robotik i mushkërive në botë

schedule08:21 - 25 Nëntor, 2024

schedule 08:21 - 25 Nëntor, 2024

Një grua 57-vjeçare e diagnostikuar me sëmundje pulmonare obstruktive kronike COPD, ka marrë transplantin e parë të dyfishtë dhe plotësisht robotik në botë të mushkërive.

Ky operacion u krye në NYU Langone Health në New York City nga Dr. Stephanie Chang.

“Kjo risi e fundit është një moment vendimtar në kirurgjinë e transplantimit të mushkërive në mbarë botën dhe vetëm fillimi i një epoke të re në kujdesin ndaj pacientëve”, tha Dr. Ralph Mosca, kryetar i kirurgjisë kardiotorakale në Shkollën e Mjekësisë NYU Grossman, në New York.

Bëhet e ditur se Chang dhe ekipi përdorën një robot da Vinci Xi për të kryer transplantin, shkruajnë mediat e huaja. Ata bënë prerje të vogla midis brinjëve, më pas përdorën robotin për të hequr dhe zëvendësuar mushkëritë e dëmtuara.

Siç raportohet, transplanti u krye katër ditë pasi pacientja Cheryl Mehrkar u shtua në listën e transplantit pas muajsh vlerësimi të kujdesshëm.

“Për një kohë të gjatë, më thanë se nuk isha mjaftueshëm e sëmurë për një transplant”, kujton ajo.

“Unë jam shumë mirënjohëse për donatorin dhe familjen e tij që më dhanë një shans tjetër për jetë”, shtoi Mehrkar.

“Dhe unë jam shumë mirënjohëse për mjekët dhe infermierët këtu që më dhanë shpresë”, përfundoi gruaja.

Pacientja, e cila kishte trashëguar një predispozitë gjenetike për sëmundjet e mushkërive, jetonte me COPD që nga diagnostikimi i saj para 14 vitesh.

Por, gjendja e saj në përgjithësi ishte përkeqësuar pas një infeksioni me COVID-19 në vitin 2022.

Vetëm katër ditë para operacionit ajo u fut në listën e pritjes dhe më në fund iu dha mundësia për një transplant jetik.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!