Përfundon kursi i radhës UEFA B në FSHF, diplomën e merr edhe ish-“bomberi” i Kombëtares

schedule18:16 - 7 Prill, 2024

schedule 18:16 - 7 Prill, 2024

Ka përfunduar me sukses një tjetër edicion i kursit për trajnerë të nivelit UEFA B për zonën e Tiranës. Kursi që nisi më datë 8 janar zgjati përafërsisht tre muaj dhe në fund u diplomuan 28 trajnerë. Të gjithë kursantët patën mundësinë të ndjekin dhe të mësojnë nga një program mësimor të punuar nga specialistë të edukimit pranë FSHF-së, në bashkëpunim me UEFA-n.

Në ambientet e Shkollës së Trajnerëve në Kamëz u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave UEFA B, ku të pranishëm ishin Drejtori i Sektorit të Edukimit, Sulejman Starova dhe specialisti i Departamentit të Edukimit në FSHF, Alban Tafaj.

Pjesë e kursit UEFA B këtë edicion ishte edhe ish-futbollisti i Kombëtares, Shkëlzen Gashi, i cili në një prononcim për fshf.org vlerësoi ecurinë e kursit dhe theksoi se në të ardhmen synon të pajiset edhe me UEFA A dhe UEFA PRO.

“Jam shumë i lumtur që përfundova kursin UEFA B. FSHF më ka ndihmuar dhe tani dua të bëhem trajner. Dua të mësojë të rinjtë, nisur edhe nga eksperienca ime në fushë. Është diçka e mirë që tani të bëhem trajner dhe në të ardhmen dua të përfundojë edhe UEFA A dhe UEFA PRO. Falënderoj FSHF-në, pasi të gjithë janë profesionistë”, – tha Shkëlzen Gashi.

Pjesë e kursit UEFA B ishte edhe Erjola Mema, e cila aktualisht është zëvendëstrajnere në ekipin e Gramshit për vajza.

“Jam ndjerë shumë mirë në këtë kurs. Ishte shumë i vlefshëm për mua, nga ku kam marrë shumë benefite për të ardhmen time si trajnere. Falënderoj shumë FSHF-në që më dha këtë mundësi, sidmos për vlerësimin që ka treguar për vajzat. Unë momentalisht punoj si trajnere e U-7 dhe U-9 te ekipi i Titans dhe jam edhe zëvendës trajnere në ekipin e KF Gramshit për vajza. Një nga objektivat e mi është që të ndjek kursin e UEFA A, pse jo më pas të vazhdojë edhe te UEFA PRO, – tha Erjola Mema. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!