Me sfidën e parë të përfunduar me rezultatin 2 me 2, mes skuadrës nga Luksenburgu, Progres Niedercorn dhe “dardanët” të Gjilanit pritej që në mitikun “Fadil Vokrri”, skuadra e udhëhequr nga Klodian Duro të arrintë një fitore të lehtë, mirëpo nuk ka ndodhur kështu.
“Dardanët” e Gjilanit janë mundur me rezultatin e pastër 0 me 2, nga luksenburgasit, ku padyshim, një faktor tepër i rëndësishëm në përcaktimin e këtij rezultati ishte dhe dalja me karton të kuq e qendërmbrojtësit, Egzon Sinani, që në minutën e 13’-të të sfidës, duke i lënë të tijë me 10 lojtarë në fushën e blertë.
Mirëpo, pavarësisht epërsisë numerike golat e miqve do të vinin vetëm në pjesën e dytë të sfidës, ku fillimisht francezi Antoine Mazure-Hanus në minutën e 65’-të e më pas francezi tjetër Walid Jarmouni në minutën e 91’-të të sfidës i dhanë fitoren tepër të vyer skuadrës së tyre, të cilët tashmë do të avancojnë në raundin e radhës kualifikues të Conference League.
Megjithatë, paçka se arritën kualifikimin historik përballë Gjilanit, skuadra e Progres Niedercorn nuk do ta ketë aspak të lehtë në raundin e radhës, për të mos thënë të pamundur, teksa si kundërshtarë do të kenë një skuadër me shumë eksperiencë në arenën evropiane, si danezët e Midtjylland. /i.m /abcnews.al