Ka përfunduar me sukses një tjetër edicion i kursit UEFA A, i 21-të që organizohet nga FSHF në vendin tonë. Kursi për licencën e trajnerit UEFA A nisi më datë 15 janar të këtij viti dhe u zhvillua i ndarë në 6 periudha, ndërsa në përfundim u diplomuan 36 trajnerë të rinj.
Kursi u udhëhoq nga specialistët e sektorit të edukimit në FSHF, ndërsa në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u organizua edhe ceremonia e diplomimit për 36 trajnerët e rinj.
Në edicionin e 21-të të këtij kursi morën pjesë emra të njohur të futbollit shqiptar si: Elis Bakaj, Ditmar Bicaj, Kushtrim Lushtaku, Andi Ribaj, por edhe disa trajnere vajza, si Rabie Tota dhe Blerta Kaçiu, por edhe futbollistja e ekipit Kombëtar, Luçie Gjini.
Kursi për licencimin e trajnerëve për nivelin A është mjaft i rëndësishëm, pasi është një licencë që e zotërojnë të gjithë zëvendës-trajnerët e Kategorisë Superiore, teksa është e detyrueshme për të gjithë trajnerët e ekipeve të para dhe skuadrave U-21, U-19, e kështu me radhë në futbollin profesionist. /FSHF