Përfundon dita e dytë e intervistimit të presidentit në Hagë, Thaçit i heshtur

schedule19:11 - 14 Korrik, 2020

schedule 19:11 - 14 Korrik, 2020

Ka përfunduar intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar. Si një ditë më parë intervistimi ka zgjatur gjashtë orë, presidenti nuk u prononcua për mediat.

Ende nuk është e qartë nëse intervistimi i Thaçit do të vazhdojë edhe gjatë ditës së mërkurë.

Edhe të hënën, Thaçi u intervistua për gjashtë orë. Ai pas intervistimit tha se aty ishte biseduar për çështje teknike dhe sqaruese dhe kishte pasur interesim “fillestar të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Ndërkaq, para se të niste intervistimin të hënën, presidenti i Kosovës deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!