Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

schedule13:50 - 2 Maj, 2023

schedule 13:50 - 2 Maj, 2023

Ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Seanca me kundërpyetjet e ekipit mbrojtës të Shalës ka vijuar në pjesë të madhe e mbyllur për publikun. Trupi gjykues ka kërkuar sqarime nga dëshmitari i mbrojtur në lidhje me ndërtesën me numër 1, në afërsi të shtabit të logjistikës në Kukës. Ai ka thënë se nuk ka parë persona me duar të lidhura, ndërkohë që kryetarja e trupit gjykues ka kujtuar deklaratën e tij të dhënë për prokurorinë. Pjetër Shala e ka ndjekur seancën përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit. Pas pauzës, seanca po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë.

Avokatja e Pjetër Shalës ka pyetur dëshmitarin se kush ishte përgjegjës për magazinën në fabrikën e metaleve në Kukës, që ai ka përmendur dje gjatë dëshmisë së tij.

Pas kthimit në seancë të hapur për publikun, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka kërkuar sqarime në lidhje me deklaratat e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në pyetjet e gjykatëses për personat që merreshin në pyetje si të dyshuar për bashkëpunëtorë me Serbinë, dëshmitari që mban numrin 10 tha se nuk i kishin duart e lidhura.

Derisa i është kujtuar deklarata që ka dhënë, seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar. Dhe prapë në seancë publike, dëshmitari i mbrojtur është pyetur se si vinin personat të cilët dyshoheshin se ishin bashkëpunëtor të Serbisë.

Në pyetjet e gjykatëses për prejardhjen etnike të këtyre personave që i sillnin në “ndërtesën numër 1”, dëshmitari tha se ishin të të gjitha vendeve të Kosovës. Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues tha se ai kishte thënë se kishte edhe romë, për çka e ka konfirmuar edhe dëshmitari i mbrojtur.

Gjykatësi Zhilbir Biti ka pasur disa pyetje për kushtet ku mbaheshin këta persona.

Në dëshminë e tij të djeshme, dëshmitari i pestë ka thënë se ishte ushtar i thjeshtë dhe kishte bërë roje në shtabin e logjistikës në Kukës. Prokuroria i ka shfaqur skicën, ku kishte përmendur edhe “ndërtesën 1”, që sipas tij, mbaheshin e merreshin në pyetje personat e dyshuar që kishin lidhje me Serbinë.

Ky është dëshmitari i pestë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe i njëjti ka dëshmuar nën masa mbrojtëse duke mbajtur të fshehur identitetin.

Seanca në Hagë po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë të ZPS-së, i cili mban numrin 11.

Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

/KosovaPress/