Përfundojnë kurset Speciale dhe Komando, Xhaçka: Të angazhuar për një ushtri profesioniste

schedule10:18 - 23 Janar, 2020

schedule 10:18 - 23 Janar, 2020

Forcave tona të Armatosura tashmë janë shtuar edhe me 49 ushtarakë të rinj të cilët do të jenë tashmë pjesë e dy njesive më elitare të tyre.

Pjesë e ceremonisë së posaçme të përfundimit të kurseve ka qenë ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila i konsideroi forcat shqiptare Komando e Speciale njëlloj të afta me kolegët e tyre nga vendet më të zhvilluara të NATO-s.

“Ju jeni zyrtarisht pjesë e një elite të Forcave të Armatosura shqiptare dhe të NATO. Çertifikimi që keni marrë njihet nga çdo ushtri anëtare e Aleancës dhe secili prej jush mund të marrë pjesë si i barabartë, me kokën lart, krah për krah me homologët amerikanë, britanikë, gjermanë, italianë, turq në çdo mision e ndërhyrje ku do të na thërrasë në të ardhmen angazhimi që kemi marrë kundrejt Aleancës”, ka thënë ministrja.

Xhaçka ka bërë me dije se në vijim do të ketë investime në Forcat Tokësore, jo vetëm për rindërtimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti, por mbi të gjitha për rritjen e profesionalizmit dhe përmirësimit të trajtimit financiar për ushtarakët.

“Jemi angazhuar për një ushtri profesioniste, me ushtarakë të trajnuar me standardet më të larta. Por edhe me ushtarakë që marrin një trajtim shumë më të mirë nga ai që kanë sot sepse në fund të ditës, zemra e forcave të armatosura janë djemtë e vajzat, burrat e gratë me uniformë. Prandaj kjo është sfida jonë më e madhe, pra një trajtim më i mirë, në qoftë se duam që FA të mbledhë të rinjtë më të talentuar e më të zotë” u shpreh Ministrja  Xhaçka.

Kursi Special zgjat më shumë 6 muaj, ndërsa ai Komando rreth 3 muaj dhe konsiderohen si kurset më të vështira fizike dhe psikologjike në Forcat e Armatosura. Këto kurse synojnë përzgjedhjen e ushtarakëve sipas standardeve të kërkuara dhe përgatitjen e tyre për kryerjen e detyrave speciale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!