Shkupi godet në merkato. Klubi shqiptar që garon në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, ka përforcuar mesfushën me një lojtar të kombëtares së Kosta Rikës. Ai quhet Freddy Alvarez, është 25 vjeç dhe përveç qendërmesfushorit, mund të aktivizohet edhe në krahët e këtij reparti. Lojtari vjen nga ADR Jicaral, skuadër me të cilën ka shënuar 8 gola dhe ka dhuruar 5 asiste në sezonin e fundit.
Shkupi e ka prezantuar gjatë ditës së sotme dhe Alvarez ka firmosur kontratë njëvjeçare me klubin nga Çairi. Ai është aktivizuar me përfaqësueset U-21 dhe U-23 të Kosta Rikës dhe është grumbulluar edhe me kombëtaren e madhe, por pa arritur të debutojë.
“Jam shumë i lumtur që kam ardhur në një klub për të cilin më kanë thënë se është me traditë, histori dhe ka shumë trofe të fituar. Ardhja ime në ekipin e Shkupit është me pritje shumë të larta personale por dhe grupore, shpresoj të jem në gjendje të përshtatem shpejt me ekipin dhe me atë që dëshiron trajneri.
Besoj se nga sot do të jem i disponueshëm për trajnerin dhe do të filloj shpejt të përshtatem në organikën e klubit, pasi na presin sfida të mëdha si në kampionat ashtu edhe në garat evropiane dhe Kupën e vendit. Shpresoj të arrij shumë gola dhe të ndihmoj ekipin“, ishin fjalet e para si shkupjan të Freddy Alvarez. /abcnews.al