Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit Serbi në një lidhje direkte për emisionin “Ballkan” në Abc Neës foli lidhur me peticionin mbi 120 intelektualëve nga ish-Jugosllavia kundër asaj që po ndodh në Malin e Zi.
Biserko, u shpreh se ideja është “Të paralajmëronim kundër ndonjë zhvillimi të mundshëm, të pafat në Malin e Zi sepse bëhet fjalë për kishën ortodokse serbe dhe ligji i ri për komunitetet fetare në Malin e Zi ka të bëjë vërtetë me uljen e këtij pushteti që po kërcënon vërtetë shtetin malazez”.
Intervista e plotë:
Ju keni nënshkruar peticionin e mbi 120 intelektualëve nga ish-Jugosllavia kundër asaj që po ndodh në Malin e Zi. Cilat janë pikat kryesore që keni vënë në dukje në atë peticion?
Ideja jonë ishte që të paralajmëronim kundër ndonjë zhvillimi të mundshëm, të pafat në Malin e Zi sepse bëhet fjalë për kishën ortodokse serbe dhe ligji i ri për komunitetet fetare në Malin e Zi ka të bëjë vërtetë me uljen e këtij pushteti që po kërcënon vërtetë shtetin malazez.
Apeli 88 kishte për qëllim të paralajmëronte një zhvillim të mundshëm negativ të situatës në rajon, duke marrë parasysh përgjigjen e Beogradit ndaj Ligjit për Komunitete Fetare të miratuar së fundmi nga Parlamenti i Malit të Zi. Bëhet fjalë për faktin se Kisha Ortodokse Serbe është një shtet në vend dhe vazhdimisht po përpiqet të parandalojë konsolidimin e shtetit Malazez me pretekstin e rrezikimit të popullit serb në Mal të Zi. Pra, nuk bëhet fjalë për çështje fetare, bëhet fjalë për përpjekjen e Beogradit, tani për herë të dytë, për të destabilizuar Gjukanoviçin, i cili është një simbol i pavarësisë së Malit të Zi. Ai perceptohet në Beograd si garantuesi i asaj pavarësie, duke çuar rrjedhimisht në fushatën brutale të mediave serbe kundër tij.
Është një përpjekje për ta hequr atë, si në vitin 2016, dhe për ta rikthyer Malin e Zi në kornizën shtetërore me Serbinë. Të dyja herë Beogradi ka humbur. I gjithë rajoni e ka marrë vesh se për çfarë bëhet fjalë, por edhe bashkësia ndërkombëtare perëndimore. Megjithëse Vuçiç njoftoi se do të kalonte natën e Krishtlindjes me një familje serbe në Malin e Zi, ai nuk shkoi sepse ishte paralajmëruar. Për shkak të kësaj, paraqitja e tij në televizion të nesërmen ishte një pasqyrë e zhgënjimit por edhe e një fjalimi të papërshtatshëm për funksionin. Ai i kërcënoi të gjithë, përfshirë ambasadorin amerikan në Podgoricë. Ajo që shqetëson është se pas gjithë humbjeve, Serbia nuk ka hequr dorë nga aspiratat për fqinjët e saj. Ajo nuk ka më mundësi për ndërmarrje lufte, por klima shoqërore, e cila këtë herë u dëshmua shkatërruese, në fakt është shkaku kryesor që Serbisë i mungon potenciali për reformë dhe përparim drejt integrimit evropian. Hezitimi i saj për të vendosur se ku përket, i kushton shumë Serbisë dhe gjithë brezave të ardhshëm të saj./abcnews.al