Presidenti i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Shefi i Delegacionit të Beogradit për dialogun, Petar Petkoviç, u takua në Bruksel me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Pas takimit dypalësh të të dy delegacioneve me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian, një raund i ri i dialogut teknik midis Beogradit dhe Prishtinës do të fillojë në Bruksel.
Para këtij raundi bisedimesh, pala serbe njofton se do të ngrejë çështjen e moszbatimit të marrëveshjes mbi Bashkimin e Komunave Serbe.
Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pak para zhvillimit të takimeve me delegacionin e Kosovës dhe atë serb, ka publikuar një fotografi në Twitter
Ai ka shkruar se është gati për diskutimet e sotme të shefave të delegacioneve, ndërsa tha se në këto takime do të flitet për çështje pronësore dhe financiare.
“Duke u përgatitur për takimin e sotëm të Dialogut Beograd-Prishtinë me dy kryenegociatorët. Presim të vazhdojmë diskutimet tona mbi pretendimet financiare dhe pronën”, ka shkruar Lajçak.