Përfaqësuesi i LSI për ABC: Votat tona janë numëruar në favor të PS-së, më 31 Maj në Kolegj

schedule12:22 - 26 Maj, 2021

schedule 12:22 - 26 Maj, 2021

Përfaqësuesi ligjor i LSI Altin Kaziaj i cili po ndjek nga afër procesin e rinumërimit të votave të qarkut Durrës në KAS ka deklaruar se deri më tani është konstatuar se një votë e cila ishte konsideruar e pavlefshme, ka rezultuar e vlefshme. Ai e cilësoi kufirin me PS-në për një mandat një diferencë mjaft të vogël, në raport me numrin e zgjedhësve në qarkun e Durrësit.

Kaziaj deklaroi në një prononcim për gazetaren e ABC Esiona Konomi se strukturat kanë arritur të identifikojnë raste kur një votë për LSI është konsideruar e pavlefshme ose i është adresuar një tjetër force politike, kryesisht PS-së.

Ai tha se është caktuar edhe seanca e parë në Kolegjin Zgjedhor në lidhje me hetimet për ankesën e LSI për numërimin e votave në qarkun e Gjirokastrës, e cila do të mbahet paraditen e 31 Majit.

“Nuk është se nuk kanë dalë parregullsi. Dua të them që pak më parë vetë KAS, një votë e cila ishte identifikuar e pavlefshme është konsideruar e vlefshme. Mandati i Durrësit për LSI është ndarë vetëm me 136 vota. Është një numër i vogël votash në krahasim me zgjedhësit në Durrës.

Strukturat tona kanë dalë në përfundim se tjetërsimi i votës apo vullnetit të zgjedhësit është bërë duke e çuar një fletë votimi për LSI për një subjekt tjetër politik. Fletat e votimit të pavlefshme janë numëruar në favor të PS. Kontestimet tona kanë qenë të shumta në qarkun e Beratit. Adresimi I votës dhe klasifikimi I saj nga KAS nuk ka qenë objektiv.

Beteja e parë është në datë 31, ora 10:00 për ankimin në qarkun e Gjirokastrës. Është vënë në dispozicion të shtetit e gjithë makineria shtetërore përmes veprimeve të paligjshme. Ne kërkojmë transparencën e këtij procesi dhe që vota e qytetarit të adresohet. Kolegji Zgjedhor është hallka e fundit që ne do të ndjekim. Nëse kolegji zgjedhor del me një përfundim të paarsyetuar ne nuk do ta njohim”, deklaroi Kaziaj. /mv.abcnews.al