Përfaqësuesit e grupit palestinez Hamas po zhvillojnë bisedime me diplomatë rusë në Moskë, tha sot zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
“Mund të them dhe konfirmoj se përfaqësuesit e lëvizjes përkatëse palestineze (Hamas) janë në një vizitë në Moskë. Sa u përket kontakteve, ne do t’ju informojmë (për rezultatet e tyre) veçmas”, tha zëdhënësja Maria Zakharova në një konferencë shtypi në Moskë.
Konflikti në Gaza filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” – një sulm i shumëfishtë i befasishëm më 7 tetor me lëshime raketash dhe infiltrime në Izrael nga toka, deti dhe ajri.
Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi një bombardim të pandalshëm në Rripin e Gazës. Më shumë se 8.400 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 7.028 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.
2,3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, dhe autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë bartur vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.