Florentino Perez, presidenti i Real Madrid, nuk e fsheh zhgënjimin që projekti i Super League dështoi për 48 orë dhe më së shumti për mënyrën se si u komentua. Kreut të klubit spanjoll i dhemb diçka e tillë dhe për “El Larguero” zbulon lëkundjen e klubeve angleze dhe thekson se Juventusi dhe Milani nuk e kanë braktisur projektin.
“Juventusi dhe Milani nuk janë larguar, ndërsa Barcelona po e mendon. Ndoshta mund ta ndryshojmë projektin pak, me katër të parat në Spanjë. E rëndësishme është që ekipet e mëdha të luajnë me njëra-tjetrën, në mënyrë që fëmijët të shikojnë futboll.
Klubet e mëdha e mbajnë futbollin, gjithmonë ka qenë kështu. Cristiano kundër Messit ishte diçka fantastike, jo vetëm për Madridin dhe Barcelonën, por për futbollin spanjoll dhe futbollin në përgjithësi. Ne po punojmë vetëm të shpëtojmë futbollin, pas kësaj pandemie.
Të ardhurat bien nga 900 milion euro në 600 milion euro këtë vit në Madrid. Kemi punuar shumë për diçka që do t’i kënaqte të gjithë dhe ne e prisnim një përgjigje të tillë. Jam pak i mërzitur. Kemi punuar për tre vite në këtë projekt, për të luftuar situatën aktuale financiare në futbollin spanjoll.
Është e lehtë ta kuptosh, nuk mund ta prekësh LaLiga, kështu që kërko më shumë para në mesjavë, pasi formati i Champions League është vjetërsuar. Ishte një fushatë e manipuluar që ne do të mbysnim ligat kombëtare, se po i jepnim fund futbollit. Ishte e tmerrshme.
Një prej klubeve angleze nuk kishte shumë interes dhe kjo ndikoi te të tjerët. Kishte frikë, një nga klubet angleze kurrë nuk u bind në të vërtetë. Klub et angleze u munduan të bëjnë diçka, por u thanë se jeni duke vrarë futbollin. Gjithsesi nuk ka zgjidhje tjetër veç Super League, ose dikush duhet të shpikë diçka tjetër”, është shprehur Perez.
Në fund ai ngacmohet edhe për transferimet “big” në merkato: “Në përgjithësi nuk do të ketë transferime të mëdha këtë verë. Kur paratë nuk kalojnë nga klubet e pasur te të varfrat, të gjithë vuajnë. Është e pamundur të bësh afrime si Mbappe e Haaland, për të gjithë dhe jo vetëm për Realin, pa Super League”. /abcnews.al

