12 klube së bashku me një qëllim të qartë. Super League shikohet si shpëtimi i futbollit prej tyre dhe realizimi i këtij kompeticioni po kërkohet me ngulm dhe paratë që do të prodhonte do të ishin të mëdha. Florentino Perez, presidenti i Real Madrid, ka folur gjerë e gjatë për El Chiringuito dhe thekson se po tentojnë ta shpëtojnë futbollin nga ky moment i vështirë që po kalon.
Gjatë intervistës së tij ai e bën të qartë se Super League shikohet si zëvendësuese për Champions League, pra praktikisht 12 klubet janë kundër formatit të ri dhe kompeticionin më të madh Europian duan ta organizojnë sipas ideve të tyre dhe të marrin më shumë para se sa UEFA jep për momentin.
“Shumë klube të rëndësishme në Spanjë, Itali dhe Britani të Madhe duan të gjejnë një zgjidhje për situatën e vështirë financiare. E vetmja mënyrë është të zhvillojmë më shumë ndeshje kompetitive. Ndryshe nga se ndodh në Champions, Super League i ndihmon shumë klubet të rimarrin fitimet e humbura.

Real Madrid ka humbur shumë para, të gjithë po kalojmë një situatë shumë të keqe. Kur nuk ka përfitime, e vetmja mënyrë është të luajmë më shumë ndeshje të forta gjatë javës. Superliga do të shpëtojë klubet financiarisht”, thotë fillimisht Perez.
Më tej ai shton: “Futbolli duhet të evoluojë, si gjithçka në jetë. Futbolli duhet të përshtatet me kohën në të cilën jetojmë tani. Futbolli po humbet interesin, të drejtat televizive po zvogëlohen. Ne donim të bënim Super League dhe pandemia na solli ta bëjmë urgjentisht. Tani jemi të gjithë të shkatërruar në futboll. Futbolli duhet të ndryshojë për të qenë më tërheqës globalisht.
Gjëja më tërheqëse në futboll janë ndeshjet mes klubeve të mëdha, vlera për televizionet rritet dhe gjenerohen më shumë para. Nuk janë vetëm të pasurit që duan të bëhet Super League, ne po e bëjmë atë për të shpëtuar futbollin që është në një moment kritik. Do të bëhet si një piramidë, sepse ne klubet e mëdha do të kemi më shumë para dhe do të jemi në gjendje t’i investojmë duke blerë lojtarë.

Nëse klubet e mëdha humbin paratë siç po ndodh, i gjithë sistemi i futbollit rrëzohet, sikurse po ndodh me Champions League. Super League nuk është një ligë e mbyllur, nuk është absolutisht e vërtetë. Kushdo që fiton pesë vendet në dispozicion do të jetë në gjendje të luajë me ekipet e tjera më të mira në botë.
Ne do të flasim me UEFA-s, sicc edhe kemi thënë në deklaratë. Duhet të diskutojmë me UEFA-n për 5 vendet e disponueshme në Super League. UEFA ka punuar në formatin e ri të Champions League, por me sinqeritet nuk e kuptoj. Ne duam të shpëtojmë futbollin. UEFA është monopol, por duhet të jetë më transparente. Duam të shpëtojmë futbollin për 20 vitet e ardhshme, pasi është një periudhë shumë e rrezikshme.
Nëse fitoni Champions, ju merrni 120 milion deri në 130 milion euro nga UEFA. Me Super League përfiton shumë më shumë. Edhe në Premier League, nëse klubet e mira janë më të forta, edhe të tjerat do të bëhen më të forta. Ne duam të bisedojmë me UEFA-n, ne duam të shpëtojmë futbollin.

PSG nuk u ftua, nuk kemi folur as me klubet gjermane. Tani jemi 12 klube, duam të bëhemi 15 klube. Nëse PSG dhe Bayern Munich refuzojmë, Super League nuk anulohet. Ky është një budallallëk. 15 klubet themeluese janë ato që kanë më shumë rëndësi sa i takon termit të argëtimit. Klube si Napol dhe Roma do të kenë shansin të jenë në kompeticion një vit ose një tjetër. Le të shohim.
Super League nuk është për të pasurit, është për të shpëtuar futbollin. Nëse vazhdon kështu, futbolli do të zhduket dhe deri në vitin 2024 do të ketë vdekur. Kjo është mënyra e vetme për t’i shpëtuar të gjithë: Të mëdhenj, të mesëm dhe klube të vogla. Formati i ri i Champions për vitin 2024 është diçka absurde. Nuk kam asnjë interes personal për ta bërë Super League. Nuk jam pronari i Real Madrid, vetëm presidenti. Reali është i anëtarëve. Dua vetëm të shpëtojmë futbollin.

“Lojtarët jashtë kombëtareve dhe dënimet e klubeve? Mos u shqetësoni, nuk do të ndodhë. Ata nuk do të dënohen nëse bashkohen në Super League. Real Madrid, Manchester City, Chelsea dhe klubet e tjera të Super League nuk do të përjashtohen nga Champions League dhe ligat kombëtare. 100 për qind ua them këtë. Jam i sigurt, është diçka e pamundur. E sigurt që nuk ka përjashtime nga gjysmëfinalet e Champions. Na mbron ligji, 100 për qind”.
“Kontrata e Super League është detyruese. Asnjë klub nuk mund të largohet, të gjithë do të punojmë së bashku, Të gjitha klubet kanë firmosur kontrata të shtunën e shkuar. Nuk ka asnjë problem. Nuk e kemi ftuar ende PSG-në. Po flasim me shumë klube dhe do u shpjegojmë projektin e Super League. Nëse Bayern refuzon ta bashkohet me ne, nuk do të anulohet. Mos u shqetësoni. Gjithashtu ne do të punësojmë disa nga gjyqtarët më të mirë në botë”, është shprehur mes të tjerash Perez. /abcnews.al

